Hidrocentralet, qeveria rikthen TVSH-në; investitorët kundër

Hidrocentralet, qeveria rikthen TVSH-në; investitorët kundër

Qeveria ka miratuar një vendim, i cili detyron ndërtuesit e hidrocentraleve private të paguajnë tatim mbi vlerën e shtuar për makineritë-pajisjet që përdorin në investimet e reja.

“Vendimi numër 84 i Këshillit të Ministrave ka përjashtuar të gjithë kodet në të cilët përfitonte sektori i hidro-energjisë, ose hidrocentralet e reja që po bëhen sot në tregun shqiptar. Ky VKM do të sjellë kosto shumë të mëdha, kosto ekstra për këto hidrocentrale, që kanë aplikuar ose kanë marrë një kredi dhe janë në proces ndërtimi”, deklaron Bilbil Zeneli, nga Shoqata e Prodhuesve të Energjisë.

Sipas shoqatës në fjalë, detyrimi për të paguar TVSH-në do të ketë efekte negative mbi këtë sektor, i cili sipas saj ka gjeneruar qindra milionë euro investime gjatë viteve të fundit në Shqipëri.

“Ajo do të dekurajojë investitorët që nuk i kanë nisur ende investimet në këtë sektor. I kanë marrë kontratat por nuk i kanë investuar shumat. Kjo do sjellë kosto ekstra që mund t’i bëjë ata të largohen fare nga ky sektor”, thotë Zeneli.

Por Ministria e Financave deklaron se produktet për të cilat është rikthyer detyrimi për të paguar TVSH nuk janë makineri-pajisje të mirëfillta dhe nuk kanë pse të përfitojnë nga regjimi lehtësues.

Sipas ministrisë, qeveria e ka përmirësuar skemën e tatimit mbi vlerën e shtuar duke i rimbursuar bizneset pa vonesa, ndaj ky ndryshim nuk i cënon financiarisht investitorët në fushën e energjisë.

Share this post