Rriten eksportet. Nafta dhe kromi, 15.5 përqind më shumë se në 2016

Rriten eksportet. Nafta dhe kromi, 15.5 përqind më shumë se në 2016

Të dhënat më të fundit zyrtare tregojnë se pas dy vitesh të vështira eksportet kanë filluar të gjallërohen. Instituti i Statistikave raportoi se në janar kompanitë shqiptare eksportuan në tregjet e huaja 15.5 për qind më shumë mallra se sa një vit më parë duke sjellë 22 milionë euro të ardhura shtesë për ekonominë.

Sipas Instat rritja është udhehequr nga zëri minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike. Prej tre vitesh eksportet e këtij grupi kanë shënuar rënie të vazhdueshme, sipas pasojë e uljes së fortë të çmimeve të naftës dhe kromit në bursa.


Por situata në tregjet ndërkombëtare të naftës dhe minieraleve ka nisur të përmirësohet duke dhënë ndikim direkt në ekonominë shqiptare. Sipas Instat, krahasuar me janarin e vitit të kaluar eksportet e grupit të energjisë dhe mineraleve gati u dyfishuan si pasojë e rikthimit të eksporteve masive të naftës.

Por lëndët e para nuk janë zëri i vetëm me ecuri pozitive. Industria e fasonit po ashtu ka vazhduar tendencën pozitive të nisur që në vitin 2015. Në muajin janar eksportet e tekstileve dhe këpucëve ishin 9 miliardë lekë ose rreth 67 milionë euro me një rritje mbi 7 për qind krahasuar me janarin e vitit të kaluar.

Vec naftës dhe industrisë së fasonit zëri i tretë me ecuri pozitive në janar ka qenë ai i materialeve të ndërtimit. Edhe ky zë ka ardhur në rënie të vazhdueshme gjatë dy viteve të fundit, por në janar eksportet e materialeve të ndërtimit u rritën me 15 për qind krahasuar me vjet.

 

Share this post