Xhafaj në Top Story: Bojkoti i PD për të bllokuar Vettingun

Fatmir Xhafaj nuk e quan rastësi faktin që në momentin e zbatimit të Vettingut, opozita ndërmerr një protestë të shoqëruar me mungesë në punimet e Kuvendit dhe komisionet parlamentare.

“Shpesh më duket si një gjë e përllogaritur, e qëllimshme dhe duhet të mbajmë fort në kujtesë që të gjitha pengesat që i kanë ardhur reformës në drejtësi kanë patur për autore Partinë Demokratike. Ka disa gjëra që të bëjnë të shkosh në përfundimin se kjo është e qëllimshme. Nuk më duket rastësore që sapo nis Vettingu, sapo janë bërë veprimet e para drejt përzgjedhjes së kandidatëve dhe më pas konstituimit të komisioneve, kemi një protestë të opozitës, e cila nuk është thjeshtë për keqqeverisjen e vendit, por e shoqëruar me bojkot parlamentar, që në thelb do të thotë bojkot kundër aktit më të rëdnësishëm parlamentar të këtij sesioni ngritjen komisioneve për Vettingun”, tha ai.

Për të ilustruar këtë, kreu i Komisionit të Ligjeve solli një tjetër shembull, sipas tij.

“Para disa javësh, opozita vendosi të mos marrë pjesë në komisionet parlamentare, me përjashtim komisionet hetimore, komisionet hetimore për CEZ sepse kishte interesa politike në këto komisione”, deklaroi ai.

Xhafaj pranoi se me situatën e re, Vettingu është futur në pikëpyetje, por jo pa zgjidhje.

“Procesi është shumë në pikëpyetje. Do të jetë shumë e vështirë për ta shtyrë përpara procesin pa praninë e opozitës në Komision, por kjo mbetet për t’u parë se cilat mund të jenë zgjidhjet e mundshme”, u shpreh ai.

Share this post