“Si Sot Në Vitin 97”/ Të gjitha ngjarjet dhe trazirat që përfshinë vendin tonë, ditë pas dite, ashtu siç ndodhën në të vërtetë

“Si Sot Në Vitin 97”/ Të gjitha ngjarjet dhe trazirat që përfshinë vendin tonë, ditë pas dite, ashtu siç ndodhën në të vërtetë

Viti i mbrapshtë 1997 që e ktheu Shqipërinë në pikën zero, nuk është lënë jashtë vëmendjes as nga rrjetet sociale. Sot jemi në 2017-ën, plot 2 dekada nga viti i trishtë. 20 vite më pas, shumë tragjedi mbeten ende të freskëta në mendjen e shqiptarëve, por ka shumë fakte të tjera që ndoshta mund të lihen në harresë për një moment.

E mesa duket për të kujtuar se ç’ka ndodhur 20 vite më parë në Shqipëri, në Facebook është hapur një fan page me emrin “Si Sot Ne Vitin 97”.

Faqja rezulton të jetë hapur para një jave, në 3 mars 2017 dhe në të dhënat e saj thuhet se “Si sot në vitin ’97, do ju risjellë të gjitha ngjarjet dhe trazirat që përfshinë vendin tonë, ditë pas dite, ashtu siç ndodhën në të vërtetë.”

Që nga data 3 mars kjo faqe ka publikuar çdo ditë fakte nga viti i mbrapshtë 1997 dhe vazhdon ta bëjë siç shkruan dhe në përshkrimin e saj. Në një javë, kjo faqe ka arritur të mbledhë afro 5000 ndjekës, një shifër domethënëse për interesin që tregohet ndaj ngjarjeve të rënda të ’97.

Sot, “Si Sot Ne Vitin 97” ka publikuar këtë fakt që përkon me 10 marsin e 1997-ës:

“Si sot në vitin 1997 #10Mars

Marrëveshja e 9 Marsit u përshëndet me vonesë nga Ambasada Amerikane dhe Fondacioni Amerikan për Europën Lindore, ndërkohë ky I fundit nëpërmjet një letre dërguar ambasadës shqiptare në Amerikë e cilëson naivitet mosnjohjen e faktit që Komiteti i Shpëtimit të Vlorës ndikohet nga mafia komuniste dhe KGB (!). Komiteti i Shpëtimit të Vlorës kishte përshëndetur marrëveshjen e 9 Marsit për pajtim kombëtar.

Në këtë ditë vendi gjendej në një gjendje të vertëtë kaotike.
Në Gramsh rebelët sulmojnë godinën e policisë duke marrë kontrollin e rrugëve drejt Fierit. Qarku I Beratit (Skrapari, Kuçova, Poliçani) bëhet qendra e re e rebelimit pas Vlorës. Në Kuçovë rebelët marrin nën kontroll 19 avionë ushtarakë MIG.”

Share this post