Borxhi, objektiv ulja në 59.6 përqind deri në 2020

Sipas Ministrisë së Financave, gjatë këtij viti borxhi publik do të ulet me 2.1 përqind e Prodhimit Kombëtar. Ulja do të thellohet në tre vitet e ardhshme duke bërë që në fund të 2020-s, borxhi publik të zbresë në 59.6 përqind e Prodhimit Kombëtar.

Sipas Qeverisë, kjo ulje e shpejtë do të arrihet përmes dy faktorëve; mbajtjes së një politike të shtrënguar buxhetore, por edhe përmirësimit të situatës ekonomike.

Aktualisht huamarrja e re e Qeverisë është në nivelet më të ulëta historike, vetëm 2 përqind e Prodhimit Kombëtar. Por sipas kuadrit fiskal, dora e Qeverisë do të shtrëngohet edhe më shumë gjatë viteve në vijim duke zbritur deri në 0.6 përqind e Prodhimit Kombëtar në 2020.

Por veç politikës së shtrënguar buxhetore, ulja e borxhit sipas qeverisë do të ndihmohet edhe nga rritja më e shpejtë e ekonomisë, e cila sipas kuadrit makroekonomik vitin e ardhshëm do të kërcëje mbi 4 përqind.

Borxhi publik i Shqipërisë u rrit me mbi 20 pikë përqindje ndaj Prodhimit Kombëtar në vetëm 8 vjet nga 2007-a në 2015-ën, duke kërcënuar seriozisht qëndrueshmërinë financiare të vendit. Ulja e shpejtë e kësaj shifre është kërkuar me ngulm nga Fondi Monetar dhe Banka Botërore, të cilat e listojnë atë si një nga rreziqet më të mëdha për ekonominë shqiptare.

 

Share this post