Mjeshtri kinez pikturon kostumin e Mirditës: Kështu vajzat duken më të bukura

TIRANE– 70 artistë nga e gjithë bota po trazojnë me ngjyra jetën kulturore në Tiranë në kuadër të Bienales së dytë të Akuarelit. Por sot thuajse gjithë vëmendjen e ka marrë një prej Mjeshtrave botërore të kësaj gjinie e pikërisht Liu Ji nga Kina.
I njohur jo thjesht për stilin e tij të veçantë në realizimin teknik, mjeshtri kinez po ashtu është i apasionuar pas modeleve balerina e sidomos atyre që duket sikur kanë dalë nga një skenë e Baletit të famshëm të Çajkovskit “Liqeni i Mjelmave”.
Por në Tiranë ai ka zgjedhur tërësisht një tematikë tjetër modelja që qëndron përballë tij është një vajzë mirditore veshur me kostumin etnik duke u bërë njëherazi një sfidë për piktorin nga ana antropologjike si edhe zbërthimi artistik i etnografisë së Mirditës.

“Vajzat shqiptare janë shumë të bukura por kur vishen me kostumin tradicional siç është ai i Mirditës plot ngjyra ato bëhen edhe më të bukura.

Bëhen një subjekt ekzaltues për një piktor që t’i pikturojë ato. Ngjyrat dhe linjat janë perfekte”, shprehet piktori nga kina Liu Ji.

Përreth një javë gjithçka do të flasë në ngjyrat dhe linjat e buta të akuarelit me ekspozimin e rreth 400 artistëve nga e gjithë bota të cilët kanë zënë vend tashmë në Muzeun Kombëtar.

Një rrugëtim i cili ka nisur dy vite më parë në Tiranë dhe tashmë ka bërë një rrugë të gjatë që u prezantua përmes një filmi dokumentar edhe para artistëve në ceremoninë e hapjes.

Filmi me titullin “Rrugëtimi i akuarelit” ishte realizuar nga gazetarja Mira Tuci, Kameramani Shkëlzen Sinani dhe postproduksion nga Denada Beqiri. Një rrugëtim i akuarelit dhe artistëve në Itali, Bullgari, Turqi dhe Hungari ku ura e komunikimit mes kulturave bëhet kjo gjini arti.

 

Filed in: Art

Share this post