Zbulohet shkaku i zjarrit në Bibliotekën Kombëtare, u dogjën librat në katin e tretë nëntokë

Gjatë operacionit të fikjes së zjarrit në Bibliotekën Kombëtare, mësohet se zjarrfikësit janë asfiksuar dhe ka arritur menjëherë ambulanca.

Të gjithë punonjësit e bibliotekës u evakuuan nga zjarrfikësit dhe policia, ndërsa një prej rojeve, Arjan Çeçit, i ra të fikët, i asfiksuar nga tymi.

Sipas disa informacioneve disa prej zjarrfikësve nuk janë ndjerë mirë, pasi janë parë në dritare duke u kollitur. Në ndihmë, personeli u ka dhënë bombola oksigjeni, ndërkohë që zjarri është përhapur në tre katet e nëndheshme. Sinjali i alarmit në Bibliotekën Kombëtare nuk ka pushuar ende së rëni.

Ndërkohë mësohet se deri tani nuk ka të lënduar nga përhapja e flakëve, ndërsa nuk dihet ende se cilat janë të gjitha dëmet materiale. Deri tani raportohet që një sasi e konsiderueshme e librave me pasuri kombëtare janë djegur.

Zëvendësministri i Kulturës Zef Çuni, tha se janë fare pak libra të djegur dhe pjesë e një fondi të parëndësishëm.

Nga hetimet e para dhe këqyrja e kryer nga ekspertët, dyshohet se zjarri ka pasur si shkak ngarkesën e elektrike në rrjetin e bibliotekës.

Në vendin e ngjarjes kanë arritur tre zjarrfikëse. Zjarri mendohet të jetë shkaktuar nga një shkëndijë elektrike, pasi në Bibliotekën Kombëtare ka kohë që nuk është vënë dorë restaurimi. Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë u hap në vitin 1920 në Tiranë.

Share this post