Zgjedhjet në Holandë, Exit Poll: Fiton partia e kryeministrit Mark Rutte

HOLANDE– Partia e kryeministrit holandez Mark Rutte ëshët fituese e zgjedhjeve parlamentare të zhvilluara gjatë ditës së sotme. Sipas Exit Poll-ve të para partia e Mark Rutte ka fituar 31 vende në parlamentin me 150 ulëse, ndërsa ‘Partia e Lirisë’ e udhëhequr nga Geert Wildersit dhe me qëndrime të ashpra kundër fesë islame dhe Bashkimit Evropian ka marrë 19 vende në parlament.
1114 kandidatë nga 28 parti garuan për 150 vende të Dhomës së Përfaqësuesve. Beteja midis kryeministrit Mark Rutte nga qendra e djathtë dhe Geert Wildersit, populist, i cili ka bërë fushatë për ndalimin e Kuranit, mbylljen e xhamive dhe largimin e vendit nga BE-ja, ka rritur fokusin te votimet, pasi ndjenjat nacionaliste kanë shkaktuar dy rezultate të papritura, vitin e kaluar.
Në një debat të nxehtë më 13 mars dy kandidatët kanë shkëmbyer grushte verbale, në përpjekje për t’i bindur votuesit. Rutte ka thënë se Wilders ka ofruar “zgjidhje të rreme” për të ndezur ndjenjën kundër migrantëve.
“Këtu është dallimi midis postimeve në Twitter nga divani juaj dhe udhëheqjes së një vendi. Nëse drejtoni një vend, duhet të merrni vendime të ndjeshme”- ka thënë Rutte.

Wilders e ka quajtur atë “kryeministër të të huajve”.
“Evropa nuk e do këtë. Evropa nuk mund ta menaxhojë këtë. Janë vetëm disa heronj në Evropë, si kryeministri hungarez, (Viktor) Orban, që guxon të mbyllë kufijtë”, ka thënë Wilders.

Share this post