Lela sulmon Shkëlzen Berishën: Populli s’ka bukë, ai tregon jetën luksoze të vetes dhe grave të tij


Alfred Lela, që njihet si një nga njerëzit më të afërt të Lulzim Bashës, ka bërë një shkrim ku barazon Shkëlzen Berishën me Olsi Ramën.

Ai thumbon Berishën e vogël, duke thënë që ndërsa shqiptarët janë të varfër, tregon jetën luksoze të vetes dhe grave të tij.

“Shkëlzen Berisha, i biri i ish-kryeministrit Berisha, vazhdon të jetë personazh që thirret në skenë. Dhe këtu fillon paradoksi: ai mbetet djali i Berishës, por i ati nuk është më kryeministër i Shqipërisë. Berisha junior, si target, vazhdon, megjithatë, të jetë i preferuar, po aq sa kur i ati, një politikan i fortë, luftarak, kundërthënës dhe paradigmatik, e udhëhiqte Shqipërinë.

Pse kështu? Sepse, socialistët në pushtet, kanë dashur dhe duan ta përdorin Sali dhe Shkëlzen Berishën si scapegoat-s. Nuk jam duke e përdorur për vanitet fjalën e anglishtes por, sepse mendoj se e ilustron më mirë idenë që kam ndërmend të parashtroj. Në mend kam bash një pasazh apso parabolë biblike, atë të ‘një qingji të lëshuar në shkretëtirë pasi kryeprifti hebre i kishte kaluar mbi të, simbolikisht, mëkatet e njerëzve” (Lev. 16).

Në këtë kuptim, Shkëlzeni dhe i ati duhet të marrin, simbolikisht, ‘mëkatet e njerëzve’ (lexo të demokratëve si kundërshtarë politikë) në shkretëtirën e politikës shqiptare. Të kuptohemi: unë nuk mendoj se, Berisha dhe as i biri, janë ‘biblikë’ në kuptimin e pastërtisë që evokon parabola e përdorur këtu. Askush në politikë nuk është i tillë, aq më pak atë shqiptare. Berisha senior ka mëkatet e tij. I riu, sikur asnjë tjetër të mos kishte, i mjafton vaniteti i shpallur në formën e postimeve në Facebook që i shpallin një populli, 50 përqind e të cilit është i varfër, jetën luksoze të vetes dhe grave të tij”, shkruan Lela.

Nuk dihet si e ka pritur këtë shkrim Berisha, nga një njeri i afërt i Bashës.

Share this post