McAllister: Shqipëria në rrugën e duhur. Negociatat brenda 12 muajve

Europarlamentari gjerman i CDU-së dhe kreu i Komisionit të Parlamentit Europian për Politikën e Jashtme, David McAllister i bashkohet korit të zërave që paralajmërojnë rritjen e ndikimit rus në Ballkan.
Në intervistën e dhënë gazetes “Die Welt”, vëmendja e tij është fokusuar në mënyrë të veçantë edhe tek Shqipëria.

McAllister thekson se, “sipas Komisionit Europian, Parlamentit dhe qeverive të bllokut, vendi është në rrugën e duhur. Bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë mund të hapen brenda 12 muajve të ardhshëm, më së voni në fillim të vitit 2018”.

Ligjvënësi gjerman lavdëron marrëveshjen e arritur nga partitë politike në Tiranë për reformën në drejtësi.

“Ky ka qenë një kriter i rëndësishëm për fillimin e negociatave. Kur të çelen bisedimet do të hapet që në fillim çështja e shtetit ligjor”, ka theksuar europarlamentari me influencë në Bruksel.

Anëtarësimin e Shqipërisë në BE megjithatë, ai e sheh ende të largët. Shqetësimit të ngritur përsa i takon ndikimit në rritje të Moskës në rajon i shtohet edhe atij nga ndikimi i Turqisë, Kinës, Arabisë Saudite dhe Katarit, një përzierje e rrezikshme, sipas McAllister.

Një veprim i papërgjegjshëm, paralajmëron ai, mund të rindezë konfliktet që i mendonim të kapercyera.

Rajoni po i shton tensionet përpara dyerve të Bashkimit Europian të përballur tashmë me probleme të shumta që nisin nga Brexit, vala e populizmit, Donald Trump dhe marrëdhëniet e acaruara me Turqinë.

Share this post