Sekuestrim dhe bllokim pasurisë, tatimet arkëtojnë 13.5 mln lekë detyrime


Niveli i lartë dhe rritja në vite e detyrimeve që biznesi i ka administratës fiskale ka bërë që tatimet të bllokojnë llogari të shumta bankare dhe sekuestrim pasurish.

Sipas raportit të fundit të publikuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, vetëm gjatë vitit të kaluar si rezultat i përdorimit të masave shtrënguese, janë arkëtuar mbi 13.5 milionë lekë detyrime të papaguara.

Kështu sipas raportit tepër efektiv në arkëtime dhe rezultatin më të lartë të pagesave llogaritet ajo pas urdhër bllokimeve të llogarive bankare në masën 47%, ose 6.2 milion lekë.

Ndërsa më pas vjen sensibilizimi i subjekteve për të paguar edhe vetëm nëpërmjet njoftimit dhe kërkesës për të paguar në vlerën 4.5 milion lekë, ose 34% e pagesave.

Një ndër zërat e rëndësishëm në masat shtrënguese që administrate tatimore ka përdorur është edhe ajo e sekuestrimit të pasurisë, e cila kap një vlerë prej mbi 1 milion lekë.

Po sipas këtij raporti viti 2016 ka qenë një vit intensiv për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe strukturat e saj në rajone për menaxhimin e borxhit duke maksimizuar përdorimin e instrumenteve që ndikojnë në uljen e ekspozimit ndaj rreziqeve, si dhe duke sjellë një efekt pozitiv në pagesa të detyrimeve të prapambetura, objekt i mbledhjes me forcë.

Rezulton se totali i detyrimeve të papaguara nga bizneset deri në dhjetor 2016 ka arritur vlerën e 147 miliardë lekëve.

 

Share this post