Shifra të frikshme: Kanceri në Shqipëri po përhapet si grip!


Prevalenca për mijë banorë e të sëmurëve më kancer ka pësuar një rritje të frikshme me 70 për qind gjatë dekadës së fundit në Shqipëri, sipas të dhënave spitalore, të bëra të ditura me kërkesë të Monitor.

Në vitin 2002, Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) numëronte 41 diagnoza për 10 mijë banorë në Shqipëri, ndërsa vitin e 2014 u numëruan 73 persona për 10 mijë banorë.

Madje ISHP thotë se shifra është shumë më e lartë për faktin se regjistri i kancerit nuk është funksional dhe shumë persona preferojnë të trajtohen jashtë vendit.

Gratë janë më të prekura. Tumoret e uterusit dhe të gjirit po përhapen shpejt dhe po zbresin në moshat e reja.

Mjekët pneumologë pohojnë se janë shtuar dukshëm edhe rastet e tumoreve të mushkërive.

Të dhënat tregojnë jo vetëm një avancim të lartë të sëmundjes, por mbi të gjitha përhapjen e tumoreve në moshat e reja.

15% për qind e të diagnostikuarve me kancer i përkasin moshës 35-44 vjeç, 26,7 për qind i përkasin moshës 45-54 vjeç dhe 22 për qind janë të moshës 55-64 vjeç.

Një dekadë më parë përqindjet më të larta i kishin moshat mbi 60 vjeç.

Në vitin 1990, Shqipëria, krahasuar me vendet e tjera në Rajon, kishte një nivel të ulët vdekshmërie nga tumoret, me rreth 104 vdekje për 100,000 banorë. Ne Rajon po vihet re një ulje e vdekjeve nga neoplazmat gjatë dy dekadave të fundit, në Shqipëri po ndodh një tendencë e kundërt, me një rritje të nivelit të vdekjeve prej rreth 20% në vitin 2010 krahasuar me vitin 1990.

Për mjekët në spitalin Onkologjik rritja ka ardhur nga ndotja e mjedisit dhe ushqimi i keq.

Ata pohojnë se rastet më të shumta janë zonat e ndotura të vendit sidomos, qytetet industriale, si Elbasani, Fieri dhe zonat kufitare të vendit, sidomos ato me Kosovën ku ka pasur ndotje në kohën e luftës.

Rritje e kontrollit mbi sigurinë ushqimore, frenim i duhanpirjes dhe ulje e ndotjes në mjedis: nëse këto faktorë rreziku nuk frenohen mjekët thonë se vitet e mëvonshme do të jenë një katastrofë në përhapjen e sëmundjes.

 

Share this post