“Analistët, shkumë fjalësh në erë. PS-LSI, 16 vjet qeve

“Analistët, shkumë fjalësh në erë. PS-LSI, 16 vjet qeve

“Ekuacioni i aleancës PS-LSI për 4 vjet funksionoi. Para ca ditësh në Kuvend u bë votimi i ministrave të rinj. Votat qenë të të dyja partive. Kështu që strukturimi i ri i Qeverisë bazohet në këtë koalicion. Këtë s’mund ta mohojë askush. Këtë duhet ta kuptojë dhe opozita” – thotë akademiku Moikom Zeqo në një intervistë botuar sot në DITA.

“Por, në zgjedhjet e ardhshme politike të Qershorit 2017 nga analistët, që në shumicën e rasteve nuk dinë asgjë, ose kuptojnë shumë pak dhe në mënyrë të sipërfaqshme detajet e politikës, bëjnë shumë pandehma, apo hedhin teza dhe dyshime se PS-ja dhe LSI-ja do të dalin të vetme, secila për strukturën e mëveçme politike, në ballafaqimin zgjedhor.

Kushtetuta i pranon të dyja variantet: edhe variantin e koalicionit parazgjedhor, edhe variantin e koalicionit paszgjedhor. Të dy variantet kanë përparësi, por shpesh dhe mangësitë e veta. Parësitë lidhen me njohjen reale të situatës votuese dhe të rezultateve të secilës parti dhe mangësitë lidhen me mungesën e një sigurie të plotë të një fitoreje, që jep dhe përcakton statusin qeverisës.

Për mua të dy variantet janë legjitimë.

Por mendoj qartësisht se PS dhe LSI do të jenë sërish në të njëjtin ekuacion bashkëpunimi. Do të ishte jo shumë e mençur, as e kujdesshme për të krijuar situata të brishta, me të papritura, shpesh të pandreqshme dhe të kushtueshme. Nuk po përdor shprehjen metaforike, që është artikuluar këto ditë, se PS dhe LSI “janë të dënuara të bashkëpunojnë”. Në politikë ka përputhje të interesave. Këto përputhje interesash janë më të rëndësishme se emocionet.

Kështu që pandehmat e analistëve janë më tepër “shkumë fjalësh” në erë. Analistët kanë të drejtë të thonë gjithçka. Por të thuash gjithçka nuk do të thotë se ke thënë të vërtetën. Nëse votimi i anëtarëve të rinj të Qeverisë do të dështonte në Kuvend, kjo do të tregonte se koalicioni nuk ekzistonte më. Por ja që ekziston – shprehet ai ndër të tjera.

Zeqo vëren edhe “një diagramë të partive politike në kalendarin e tyre qeverisës”.

“PD ka qenë një qeverisje në vitet 1992-1997 si dhe në vitet 2005-2013, pra 13 vjet. PS ka mundur të jetë në pushtet në vitet 1997-2005 dhe 2013-2017, pra 12 vjet. Në një mandat të dytë mbas zgjedhjeve të vitit 2017 prej 4 vjetësh, PS arrin deri në 16 vjet. Interesante është të shikojmë edhe qëndrimin në qeverisje të LSI-së. LSI ka qenë në qeverisje në vitet 2005-2013 si dhe 2013-2017, pra 12 vjet. Me një mandat të ri, që përfshin harkun kohor 2017-2021, pra 16 vjet. Kështu që dy parti PS dhe LSI mund të arrijnë mandatet qeverisëse prej 16 vjetësh, ndërsa PD deri më sot ka arritur në 13 vjet.

Kjo diagramë, e cila nuk duhet absolutizuar dhe as kthyer në një fetish, sepse në politikë çdo kulturë totemistike nuk ka asnjë kuptim dhe është e gabuar, tregon gjithsesi se forcat dhe partitë qeverisëse e kanë një strukturë bashkëpunimi për të ndarë cakun midis qeverisjes dhe jo qeverisjes.

Nuk di nëse e ka bërë ndonjë njeri tjetër deri më sot këtë analizë, e cila është gjithashtu e karakterit formal dhe numerik (po e ritheksoj përsëri se karakteri formal ka shumë rëndësi në politikë), por do ishte mirë që përtej të gjitha euforive, ndjeshmërive të tepruara në analizat politike të kemi sa më pak klientelizëm, apo apoteoza liderësh, partish apo dëshirash që duket sikur zëvendësojnë realitetet, pa mundur t’i shpërbëjnë këto realitete. Dhe nga kjo mund të dalë një konkluzion, që elektorati i majtë në Shqipëri është ende aq i madh dhe zotërues sa është ai pavarësisht kërkesave të paplotësuara, apo dhe pakënaqësive ndaj përfaqësuesve të vetë politik, që përcaktojnë peizazhin politik të Shqipërisë jo vetëm në 10 vjeçarin e parë të shek.XXI, por mesa duket dhe në 10 vjeçarin e dytë e më tej po të këtij shekulli” – shprehet Zeqo.

Share this post