20-vjetori i tragjedisë së Otrantos, Rama: Fajtorët e vërtetë nuk u ndëshkuan, bunkeri në bulevard pengon reformën

20-vjetori i tragjedisë së Otrantos, Rama: Fajtorët e vërtetë nuk u ndëshkuan, bunkeri në bulevard pengon reformën

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Vlorë, në një aktivitet përkujtimor për 20 vjetorin e tragjedisë së Otrantos, me 81 viktima dhe 24 të zhdukur.

Gjatë fjalës së mbajtur Rama theksoi se ende nuk ëhstë bërë drejtësi për jetët e humbura. Kryeministri u ndal te rëndësia e reformës në drejtësi, që sipas tij përcakton të ardhmen e vendit.

“Tragjedia e Otrantos tronditi Shqipërinë. Shumë jetë të humbura në mes të detit. Fajtorët e vërtetë të fatkeqësisë janë të pandëshkuar. Familjarët e viktimave të revoltuar se su BË drejtësi.

Asnjë nuk ka vlerën e merituar nëse nuk ka drejtësi. Cinike përpjekja për të penguar zbatimin e reformës. Reforma po pengohet me një bunker në bulevard. Vettingu nuk ëhstë çështje politike dhe as partiake. Çadra e opozitës po mban peng të ardhmen e vendit”, deklaroi Rama.

Kryeministri Rama theksoi se kanë kaluar 20 vjet nga tragjedia e Otrantos dhe shumë arsye për të mos harruar.

Sot shtoi Rama, “Përkujtojmë tragjedinë që tronditi Shqipërinë dhe Italinë”.

“Patjetër që 24 të zhdukur dhe 81 viktima të regjisturara janë edhe sot një plagë e pambyllur në kujtesën e këtij qyteti në radhë të parë, por edhe për ata që me këtë qytet kanë një lidhje shpirtërore”.

“Gra dhe fëmijë pjestarë familjesh të mbetura mes dy brigjeve si simbol i një vullneti të madh dëshpërimi dhe shprese, janë sot dhe gjithë ditën një arsye shumë e fortë për të guxuar të besojmë se jo vetëm një traagjedi e tillë nuk do të përsëritet më, por që Shqipëria që duam do të bëhet një vend ku gratë dhe fëmijët të mos kenë nevojën për të rrezikuar jetën dhe ardhmërinë e familjes së tyre, por të gjejnë këtu mundësitë që ju duhen për ta parë të ardhmen me shpresë dhe me besim”, tha Kryeministri Rama.

Tragjedia e rëndë ndodhi në 28 Mars të vitit 1997. Anija shqiptare “Kateri i Rades” me 120 persona në bord kishte arritur të hynte në ujërat territoriale italiane, por pak pasi i ishte afruar brigjeve të Otrantos në Itali, u përplas me anijen luftarake italiane, “Sibilla”.

Si pasojë e përplasjes u mbytën 84 persona, mes të cilëve 46 gra dhe fëmijë. Prej tyre, 57 trupa u kthyen, ndërkohë që 24 rezultojnë të zhdukur dhe 34 të mbijetuar. Anija e tragjedisë u nxorr nga deti 6 muaj pas ngjarjes, bashkë me një pjesë të trupave të viktimave, ndërkohë që më pas ajo u vendos në Brindisi.

Share this post