Strasburgu drejt rihapjes së “21 Janarit”, qeveria nis grumbullimin e provave të reja, gati dorëzimi i dosjes

Strasburgu drejt rihapjes së “21 Janarit”, qeveria nis grumbullimin e provave të reja, gati dorëzimi i dosjes

Dosja e shumëpërfolur e 21 Janarit, e cila u mbyll nga drejtësia shqiptare pak vite më parë, pritet të rihapet edhe një herë nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, ose siç njihet ndryshe Gjykata e Strasburgut.

Në kuadër të përkujtimit të 6 vjetorit të vrasjeve të katër personave gjatë protestës së PS në bulevard, Strasburgu u bëri të ditur familjarëve të viktimave, që e kanë dërguar çështjen atje, se ekzistojnë të gjitha rrethanat për të rihapur edhe një herë hetimet në lidhje me 21 Janarin.

Por për të arritur deri në rihapjen e çështjes, Strasburgu i kërkoi qeverisë shqiptare që të servirë fakte dhe prova të reja për ngjarjen si edhe një pasqyrë të plotë të të gjitha shkallëve të gjykimit që çështja pati nga drejtësia shqiptare.

Tashmë qeveria është në hapat e fundit të plotësimit të dosjes me prova dhe të dhëna të reja, e cila pritet që së shpejti t’i vihet në dispozicion Gjykatës së Strasburgut në mënyrë që kjo e fundit të urdhërojë zyrtarisht që çështja të hetohet edhe një herë shkruan ‘sot’. Edhe pse kur ishte në opozitë Edi Rama u zotua se do të ndihmonte në zbardhjen e fajtorëve të vërtetë të ngjarjes së 21 Janarit 2011 dhe vënien para drejtësisë së tyre, të paktën deri tani, diçka e tillë nuk ka ndodhur.

Gjatë këtyre viteve në pushtet, qeveria kishte mundësi të servirte prova të reja në ndihmë të hapjes së çështjes, por vetëm tani duket se është kujtuar për të diçka të tillë. Dhe kjo ka ardhur pas kërkesës që Gjykata e Strasburgut i ka bërë avokates së shtetit shqiptar.

Rihapja e çështjes dhe rihetimi i personave të përfshirë në të pas tezaurimit të saj nga drejtësia shqiptare ka qenë një nga kërkesat kryesore të familjarëve të viktimave.

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut u drejton katër pyetje autoriteteve shqiptare, ndërsa kërkon dokumentacionin për hetimet dhe gjykimin, në të gjitha shkallët e gjyqësorit shqiptar, dokumente këto të cilat avokatja e shtetit shqiptar është duke i grumbulluar në një dosje të vetme gati për t’i depozituar.

Kështu, saga gjyqësore për përgjegjësit e vrasjeve të 21 Janarit, shkeljen e procedurave të gjykimit, zhdukjen dhe manipulimin e provave, rrëzimin e fakteve dhe devijimin e ekspertizave, më në fund, ka mbërritur dhe ka vënë në lëvizje Gjykatën Evropiane.

Katër vjet pas padisë së familjarëve të viktimave, Gjykata e Strasburgut ka hapur çështjen më të nxehtë dhe sensitive të viteve të fundit për drejtësinë shqiptare. Kjo për disa arsye. Së pari, 21 Janari është konsideruar si një ndër krimet më të rënda shtetërore, ngjarje ku u ekzekutuan katër qytetarë të pafajshëm, ndërsa u plagosën edhe gjashtë të tjerë.

Drejtësia shqiptare nuk gjeti asnjë fajtor për ekzekutimet dhe plagosjet e qytetarëve para zyrës së ish-kryeministrit Sali Berisha.

Tashmë duket se janë pjekur kushtet që fjalën e fundit për zbatimin e procedurave gjyqësore për 21 Janarin, do ta thotë Gjykata e Strasburgut. Gjykata Evropiane e Drejtave të Njeriut në Strasburg ka ftuar qeverinë shqiptare që të japë një informacion të detajuar mbi çështjen e 21 Janarit, konkretisht për hetimet e prokurorisë dhe procedurat penale të ndjekura nga gjykatat. Gjykata i kërkon shtetit shqiptar që të dorëzojë një kopje të dosjes hetimore për ngjarjet e 21 Janarit.

Pra, informacioni do të jetë një përgjigje për pyetjet e ngritura nga gjykata. Ndërkaq, përpos kostos morale dhe politike, vendimi i Gjykatës së Strasburgut për 21 Janarin, mund të ketë edhe një kosto financiare për shtetin shqiptar.

Share this post