A qëndron Kremlini pas letrës që trazoi Shqipërinë?

A qëndron Kremlini pas letrës që trazoi Shqipërinë?

Prej ditësh, opinioni publik në Shqipëri është i bombarduar me lajme të mbushura me teori konspirative, me fuqi të mëdha politike që po luajnë lojëra të ndryshme gjeostrategjike.

Gjithçka nisi kur u publikua një letër e gjashtë senatorëve amerikanë, drejtuar Sekretarit të Shtetit, Rex Tillerson.

 

Në letër thuhej se organizatat e miliarderit George Soros po ndikojnë në Maqedoni e Shqipëri, duke përkrahur politikanët e majtë.

Për ironi, letra u pasqyrua masivisht nga mediat ruse.

Faqja e njohur amerikane “Politico” ka dyshime se pas letrës qëndron Kremlini.

“Propaganda ruse në Ballkan gjeti rrugën për të mbërritur deri në përgatitjen e një letre për Sekretarin e Shtetit,” shkruan ‘Politico’.

Sipas kësaj faqeje, pas letrës qëndron Nikolla Gruevski, i cili po kërkon përkrahjen e Rusisë, me shpresën se SHBA do pozicionohet me opozitën.

Qëllimi i Kremlinit është që në rajon të krijohet ideja se SHBA po nxit destabilitetin.

“Strategjia e Gruevskit është që të pozicionojë Rusinë në krahun e tij, duke menduar se amerikanët do jenë në krahun e socialdemokratëve”, thotë Daniel Server, një ekspert për çështjet e rajonit.

Ministri i Mbrojtjes i Gruevskit ka takuar senatorët që nënshkruan letrën në Uashington gjatë inaugurimit të Trump.

Dyshimet për ndikim të Rusisë në këtë çështje shtohen akoma më shumë po të mendosh se Sorosi është sulmuar edhe nga Viktor Orban i Hungarisë.

Të tilla spekulime kanë pushtuar Shqipërinë kohët e fundit, kur flitet për ndikim të Rusisë në çështjet e brendshme.

Palët në Shqipëri kanë nxituar për të deklaruar se kanë përkrahjen e administratës së re të Donald Trump në SHBA.

Kjo ka bërë ambasada amerikane të sqarojë se nuk mbështesin veprimet e ndonjë pale.

 

Share this post