Koalicioni opozitar nuk tërhiqet: Qeveria teknike, e vetmja zgjidhje

Koalicioni opozitar nuk tërhiqet: Qeveria teknike, e vetmja zgjidhje
Partitë e koalicionit opozitar, përmes një deklarate të përbashkët kanë përsëritur qëndrimin se, zhbllokimi i situatës politike bëhet vetëm përmes krijimit të qeverisë teknike.

“Duke shqyrtuar krizën e thellë politike ku ndodhet Shqipëria, kërcënimin e zgjedhjeve nga krimi i veshur me pushtet, droga dhe paratë e pista dhe vendosja e të gjitha strukturave shtetërore në funksion të fushatës së partive qeverisëse, konfirmojnë njëzëri vendimin e shpallur me 18 shkurt: se zgjidhja e vetme që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme është krijimi i një qeverie teknike me mbështetje të gjerë politike, e cila do të zbatojë ligjin e dekriminalizimit, do të luftojë me efikasitet narkotrafikun, krimin e organizuar dhe paratë  e pista të drogës dhe do të krijojë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, thuhet në deklaratë.

Duke marrë në konsideratë raportet e fundit të institucioneve ndërkombëtare, si atë të Departamentit amerikan të Shtetit dhe të EUROPOL, ku Shqipëria kryeson listën euopiane për prodhimin e trafikimin e drogës dhe pastrimin e parave, koalicioni vlerëson se, shqiptarët ndodhen në kushtet e asgjësimit të zgjedhjeve të lira nga krimi i organizuar dhe paratë e drogës me lidhje qeveritare.

“Në këto kushte, partitë e koalicionit opozitar konfirmojnë unanimisht vendimin për mosparaqitjen e kërkesës për regjistrim si subjekte zgjedhore në KQZ deri në arritjen e një marrëveshje politike për krijimin e qeverisë teknike me mbështetje të gjerë”, vijon deklarata.

Share this post