Ja sektorët ku shqiptarët janë më “dembelët”

Ja sektorët ku shqiptarët janë më “dembelët”

Punonjësit në hotele, bare–restorante, shërbim ushqimor nuk duket se e “justifikojnë” pagën e tyre, edhe pse ata mund të rezultojnë ndër më pak të paguarit.

Nga matjet që ka rezultuar INSTAT për produktivitetin në punë në Shqipëri, ka gjetur se punonjësit në sektorin e akomodimit dhe shërbimit ushqimor kanë produktivitetin më të ulët, të matur si raport i vlerës së shtuar me punësimin. Kjo konstatohet si ndërmarrjet e mëdha, me më shumë se 250 punonjës, ashtu dhe te bizneset e mikro, me 1 deri në 9 të punonjës.

Ndërsa më të papërtuar janë punonjësit e sektorit të ndërtimit, sidomos në bizneset e vogla dhe ata të nxjerrjes së naftës tek sipërmarrjet e mëdha.

Në sektorin e akomodimit dhe restoranteve për mikrondërmarrjet (1-9 punonjës) produktiviteti i matshëm për punonjës është 279 mijë lekë në vit. Bizneset e tregtisë rezultojnë më eficiente, me një nivel produktiviteti për të punësuar prej 564 mijë lekë në vit.

Edhe tek sipërmarrjet e mëdha, sektori i akomodimit dhe restoranteve ka një produktivitet prej 553 mijë lekë në vit. Më eficiente në këtë sektor janë bizneset me 25-249 punonjës, me produktivitet prej 705 mijë lekë në vit.

Në fakt, produktiviteti i ulët në këtë sektor, më shumë se “dembelizëm” të punonjësve, reflekton vlerën e ulët të shtuar që ka akomodimi dhe restorantet, një biznes ky i preferuar për shumë shqiptarë. Një kërkim i mëparshëm i Monitor gjeti se shteti i dytë në botë pas Spanjës për numrin më të lartë të bar-kafeve për 100 mijë banorë.

Teksa në vend kishte gjithsej 104 mijë biznese në fund të 2015-s, në mënyrë unike rreth 18% e totalit të bizneseve në Shqipëri janë bar-kafe dhe restorante. Sipas të dhënave të fundit të INSTAT, numri i bar-kafeve në Shqipëri në fund të vitit 2015 ishte 13,612. Me një popullsi prej 2.88 milionë banorësh, Shqipëria ka 473 bar- kafe për 100 mijë banorë. Shteti i vetëm në botë që na e kalon është Spanja, i cili renditet si vendi me numrin më të lartë të bar-kafeve në botë, në raport me popullsinë.

Në Spanjë ka 270 mijë bar-kafe për 46 milionë banorë, apo 587 bar-kafe për 100 mijë banorë, shumë më i lartë se vendet e tjera, që në pjesën më të madhe kanë më pak se 200 bar-kafe për 100 mijë banorë, sipas statistikave globale.

Produktiviteti në ekonomi

Në tërësi, në ekonominë shqiptare,  sipas INSTAT, produktiviteti i punës rezulton më i lartë në ndërmarrjet e mëdha me 250 edhe më shumë të punësuar, përkundrejt ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Sipas aktiviteteve ekonomike, në NVM  me 1-249 të punësuar si edhe në ndërmarrjet e mëdha me 250+ të punësuar, produktiviteti më i lartë është tek sektori i industrisë nxjerrëse. Ndërsa, produktiviteti më i ulët është tek sektori i akomodimit dhe shërbimit ushqimor.

Nga analiza e nënndarjeve të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, për mikrondërmarrjet, sektori me produktivitetin më të lartë është sektori i ndërtimit, ndërsa sektori i akomodimit dhe shërbimit ushqimor ka produktivitetin më të ulët.

Për ndërmarrjet e vogla sektori me produktivitetin më të lartë është sektori i energjisë elektrike, ujit dhe menaxhimit të mbetjeve, ndërsa sektori i akomodimit dhe shërbimit ushqimor ka produktivitetin më të ulët. Për ndërmarrjet e mesme, sektori i industrisë nxjerrëse ka produktivitetin më të lartë, ndërsa sektori i energjisë elektrike, ujit dhe menaxhimit të mbetjeve ka produktivitetin më të ulët./Monitor

 

Share this post