Basha në Maltë, merr mbështetjen e së djathtës europiane për zgjedhje të lira

Basha në Maltë, merr mbështetjen e së djathtës europiane për zgjedhje të lira

Lulëzim Basha ka lënë çadrën e protestës dhe ndodhet në Maltë për kongresin e Partisë Popullore Europiane (PPE) ku ka mbajtur edhe një fjalë në seancën plenare.

Sipas Zyrës së Shtypit të PD-së, gjatë qëndrimit në Maltë kryetari i opozitës ka zhvilluar takime me udheheqës të partive simotra dhe drejtues të institucioneve europiane. Gjatë këtyre takimeve, Basha ka parashtruar kërcënimin real të zgjedhjeve të lira e të ndershme në Shqiperi prej krimit, drogës dhe parave të pista, si dhe ka kërkuar mbështetjen europiane për këtë betejë që po zhvillon opozita. Kjo ishte tema e bisedës me Presidentin e PPE, Josef Daul, dhe me Sekretarin e Pergjithshëm Antonio Lopez Isturiz.

Me ministrin e Jashtëm austriak, Sebastian Kurz, Basha vuri në dukje rëndësinë themelore që kanë zgjedhjet e lira për të ardhmen europiane të Shqipërisë. Basha tha se kjo betejë për vlerat europiane do të zhvillohet deri në fitore.

Basha u takua me Komisionerin europian për Sigurinë, Dimitri Avramopulos, me të cilin, sipas Partisë Demokratike, ndanë shqetësimin e thellë për krimin e organizuar, drogën dhe trafiqet.

Në bashkëbisedimin me Pier-Ferdinando Cazini, kreu i Senatit italian, gjithmonë sipas Zyrës së Shtypit të PD-së, e ka siguruar Bashën se do të ketë përkrahjen e tij për kauzën e votës së lirë. Basha argumentoi se e vetmja rrugëdalje është krijimi i një qeverie teknike që lufton drogën, paratë e pista, këput lidhjet me krimin dhe zbaton dekriminalizimin.

Në njoftim thuhet se i shqetësuar për situatën e krimit të organizuar dhe drogës është edhe kreu i opozitës greke, Kirjakos Micotaqis. Në takimin me Bashën kryeopozitari grek u shpreh se e çmon dhe mbështet betejën që Basha e opozita shqiptare po bëjnë për të siguruar zgjedhje të lira e të ndershme.

Gjithashtu, senatori italian Mario Mauro dhe kryetari i grupit Forza Italia në Senatin Italian, Paolo Romani i thanë Bashës se qëndrojnë në krah të tij dhe se përpjekjet e mëdha që po bëhen për votën e lirë, janë të drejta.

Në takimin me Presidentin e Këshillit të Europës, Pedro Agramunt, Basha ka theksuar se Shqipëria s’duhet lenë të bjerë në greminën e krimit të organizuar që ka kapur shtetin dhe të karteleve të drogës me lidhje qeveritare që kanë planifikuar mbajtjen e pushtetit duke asgjesuar votën.

Kryetari Lulzim Basha u takua edhe me kryeministrin kroat Andre Plenkovic, me fituesin e zgjedhjeve në Bullgari, Borisov me Doris Pack, me kreun e kristiandemokratëve holandezë Sybrand Buma, me kreun e Komisionit të Jashtem ne PE, David Mcallister me kreret e partive simotra të Suedisë dhe Sllovenisë, Ministrin federal të Bujqësisë në qeverinë gjermane, Christian Schmidt.

Kryetari i opozitës Basha do të marrë pjesë sot në Samitin e Partisë Popullore Europiane, forumi më i lartë politik i formacionit të djathtë në Europë, ku pritet të takohet dhe bashkëbisedojë me krerët e partive simotra dhe krerët e qeverive dhe institucioneve europiane. PPE është grupimi më i madh politik në Parlamentin Europian dhe aktualisht përfaqësuesit e saj janë në krye të tre institucioneve kryesore të BE, në Parlamentin Europian, Këshillin Europian dhe Komisionin Europian.

 

Share this post