“Komisari i Hekurt” : Nëse nuk kthehem në polici, çështjen do e çoj në Strasburg

Ndonëse po bëhen 5 muaj që Edmond Koseni fitoi “betejën” me Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit, ai vijon të jetë ende i pezulluar nga detyra.

Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, ai tha se nëse rikthimi i tij në radhët e policisë do të vijojë të mbetet në heshtje, çështjen do ta çojë deri në Strasburg. “Për kthimin tim në polici do e çoj çështjen deri në Strasburg, do i ndjek të gjitha rrugët ligjore për diçka që mua më takon”, tha Koseni.

I cilësuar si “Komisari i Hekurt” Koseni u bë i njohur në 1997, kur u shpalli “luftë” të jashtëzakonshme bandave të armatosura të Shqipërisë së Mesme. Në vitin 2001 ai u pezullua nga radhët e policisë, pasi ndaj tij u renditën një sërë akuzash të kryera gjatë ushtrimit të detyrës si drejtues policie.

Në vitin 2012, pas 11 vitesh betejë për drejtësi me shtetin shqiptar, Edmond Koseni u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Apelit në Tiranë për të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij.

Për rikthimin tuaj në radhët e Policisë së Shtetit, tashmë ka një vendim gjykate. A është zbatuar ky vendim nga ana e Ministrisë së Brendshme apo e Policisë së Shtetit?

Jo, nuk është zbatuar vendimi i gjykatës. Nuk është marrë ende asnjë masë për kthimin tim në polici.

Gjatë kësaj kohe jeni informuar se çfarë është duke u bërë me çështjen tuaj dhe a keni biseduar me kreun e policisë për rikthimin tuaj në punë?

Unë nuk kam komunikuar me asnjë person, sepse në momentin që unë kam çuar dosjen dhe të dhënat e mia në ministri e polici, më thanë se do të më lajmëronin ata vetë. Kanë kaluar 4 muaj dhe nuk është bërë asgjë për kthimin tim në polici. Ata duhet të më kishin kthyer mua në radhët e policisë që në momentin që unë fitova gjyqin penal. Çështjen e ndoqa hap pas hapi dhe i fitova të tria shkallët e gjykatës. Ata nuk reaguan, pasi unë u çova dosjen dhe dokumentet e mia. Unë futa Përmbarimin, është një firmë në Tiranë që merret me këto probleme. Ka shkuar Përmbarimi në Ministrinë e Brendshme dhe u ka lënë afat 45 ditë për të parë çështjen time. Po bën gati një muaj që Përmbarimi ka shkuar atje dhe ministria ka dhe pak ditë kohë për të parë çështjen time. I kanë bërë kërkesë edhe për pagën që unë duhet të marr edhe për vendin e punës dhe në rast se ata nuk reagojnë, do ta ndjekin sërish çështjen penalisht.

Sipas vendimit, ju duhet të paguheni që nga dhjetori i vitit 2005 e deri në momentin që do të futeni në punë. A keni marrë ndonjë shumë parash?

Edhe përsa u përket shumës së parave që unë duhet të marr me vendim gjykate, deri më tani nuk më kanë dhënë asnjë këst.

Mendon se rikthimi juaj në polici po lihet në harresë?

Mbase ata bëjnë sikur po e harrojnë, por nuk kanë se si ta harrojnë emrin tim, sepse ka kohë i shkruar në letrat e tyre.

Aktualisht ku po punoni?

Vijoj të punoj në fabrikën time të çimentos në Peqin. Do të punoj këtu derisa të vendoset rikthimi im në polici.

Nëse nga ministria apo policia nuk do të ketë asnjë reagim, çfarë do të bëni?

Nëse do të vijojë të ndodhë ende kjo gjë, atëherë së bashku me avokatin tim dhe Përmbarimin do ta ndjek çështjen penalisht. Për kthimin tim në polici do e çoj çështjen deri në Strasburg, do i ndjek të gjitha rrugët ligjore për diçka që mua më takon. Kam 16 vite që bëj gjyqe dhe nuk do e lë me kaq.

Mendoni se pezullimi dhe moskthimi juaj në radhët e policisë është për shkaqe politike?

Mbase edhe mund të jetë kështu, por realisht nuk di çfarë të mendoj. Unë nuk jam marrë me politikë, sepse kam bërë detyrën time kur kam qenë oficer policie.

Disa ditë më parë është emëruar edhe ministri i ri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Keni ndonjë thirrje ndaj tij?

I bëj thirrje që ta shohë me përparësi çështjen time. Unë do t’i drejtohem edhe në rrugë zyrtare me anë të avokatit tim.

 

Share this post