“Lapsat pas Charlie Hebdo, francezët tek TAP, takimet me Vuçiç” pse u dekorua Rama në Paris

“Lapsat pas Charlie Hebdo, francezët tek TAP, takimet me Vuçiç” pse u dekorua Rama në Paris

Kryeministri francez Bernard Cazeneuve, ka shpjeguar arsyet se përse Franca ka nderuar me titullin e lartë “Komandant i Legjionit të Nderit”, Edi Ramën. Deklarata e tij në ceremoninë e nderimit nis me praninë e klerikëve shqiptarë në Paris, gjatë manifestimit pas sulmit terrorist në Charlie Hebdo dhe vazhdon me renditjen e një sërë vendimesh dhe prezantimesh të Ramës në sytë e të huajve.

Çdokujt këtu i kujtohet prania juaj, gjatë manifestimit të 11 janarit 2015, në krah të popullit francez, duke valëvitur, në homazh të karikaturistëve të vrarë disa ditë më parë të “Charlie Hebdo-së”, lapsat tuaj me ngjyrën blu, të bardhë e të kuqe.

Përmes këtij simboli, ju shprehnit, si prirjen tuaj të dyfishtë prej artisti dhe politikani të angazhuar, ashtu edhe marrëdhënien vetjake që ju lidh me vendin, me gjuhën dhe me kulturën tonë.

Artist i arteve figurative, ju keni kryer studime për artet e bukura dhe për shumë vite keni bërë pjesë në skenën artistike pariziene. Me kthimin në Shqipëri, ju jeni angazhuar në politikë dhe keni ditur t’i bashkoni lumturisht këto dy përmasa të angazhimit tuaj. Në vitin 2004, ndërsa po përfundonit mandatin tuaj të parë si Kryebashkiak i Tiranës, ju është dhënë çmimi “Kryebashkiak i Botës” nga shoqata “Internet City Mayors” për modernizimin e kryeqytetit shqiptar. Miku juaj, artisti Anri Sala, që ka përfaqësuar në atë kohë Francën në Bienalen e Venecias, i ka zbuluar botës projektin tuaj vizionar, të ngjyrimit të godinave të Tiranës, nëpërmjet një filmi, ku ju deklaronit: “Ngjyra është ajo që na sjell bashkimin.”

Dhe po më tregojnë se, kur u bëtë Kryeministër disa vjet më vonë, ju keni ristrukturuar Sallën e Hartave në selinë e qeverisë suaj, duke stolisur me katërkëndësha të kuq të mrekullueshmet harta të lashta të Shqipërisë dhe armurat e drunjta italiane të paraluftës, duke i dhënë kështu atij salloni një penelatë moderniteti.

Nga qëndrimi juaj në Paris, ju keni ruajtur një shije dhe një zotërim të shkëlqyer të gjuhës sonë; dhe kam konstatuar vetë, gjatë vizitës që ju kam bërë në Tiranë, se bisedimet zyrtare me personalitetet franceze apo frankofone që kanë vizituar vendin tuaj, ju i zhvilloni në frëngjisht.

Ju jeni një mik i madh i Francës. I bindur për domosdoshmërinë e forcimit të marrëdhënieve tona dypalëshe, ju keni mbështetur gjithmonë projektet ekonomike dhe kulturore që kanë kontribuar në këtë afrim. E di që tashmë ato janë të shumta, duke filluar me Trans-Adriatic Pipeline, këtë projekt madhor infrastrukture, realizimi i të cilit iu besua vitin e shkuar një sipërmarrjeje franceze.

Por edhe Franca ju është mirënjohëse për rolin aktiv që ju luani në favor të paqes dhe bashkëpunimit në rajonin e Ballkanit. Ju jeni i pari shef i Qeverisë shqiptare që e keni angazhuar, me kurajë, vendin tuaj në rrugën e pajtimit me Serbinë; dhe sidomos ia keni dalë, në marrëveshje me homologun tuaj serb, të ngrini një Zyrë Rajonale të Rinisë që bashkon gjashtë vendet e Ballkanit perëndimor. Dëshiroj t’ju përgëzoj për këtë nismë të bukur, themeluar mbi modelin e Zyrës franko-gjermane të Rinisë që kishin krijuar në kohën e tyre Gjenerali De Gaulle dhe Kancelari Adenauer.

Duke ju pranuar sot në gjirin e Urdhrit Kombëtar të Legjionit të Nderit, Republika i bën kësisoj homazh një burri shteti, një miku të madh të Francës dhe një europiani të bindur, që punon në mënyrë të palodhur për t’i dhënë Shqipërisë vendin që i takon në gjirin e Eurpës, ashtu siç edhe ne e dëshirojmë, të fortë, të begatë dhe paqësore,” arsyetohet.

 

 

Share this post