“Shqipëria ka punë”, Xhaçka premton 1.000 punësime të menjëhershme në 3 ditët e panairit

“Shqipëria ka punë”, Xhaçka premton 1.000 punësime të menjëhershme në 3 ditët e panairit

Është hapur sot Panairi i Punës 2017, i cili do të qëndrojë hapur deri më 31 mars. Në ditën e parë të tij, ministrja e re e Mirëqënies Sociale, Olta Xhaçka, siguroi 1.000 punësime të menëjhershme brenda tri ditësh, pra në tri ditët e panairit.

Nën temën “Shqipëria punon-Shqipëria ka punë”, ajo shprehet se qeveria Rama i ka kushtuar një vëmendje të madhe punësimit.

Xhaçka renditi arritjet e qeverisë, duke u shprehur se gjatë 2016-ës numri i punëkërkuesve të papunë të regjistruar arriti në 93 mijë nga 151 mijë në fund të 2015-ës; u punësuan 25 mijë punëkërkues të papunë nga 20 mijë në 2015-ën, fondi i investimeve u realizua në masën 98%.

“Rëndësinë e këtij aktiviteti, e tregon pjesëmarrja edhe këtë vit e mbi 80 kompanive, të cilat kanë deklaruar rreth 5.000 vende pune,  nga fusha të ndryshme.”, u shpreh Xhaçka.

Shkëputur nga fjala e ministres Xhaçka:

Shërbimi Kombëtar i Punësimit prezantohet në panair me  rezultate të rëndësishme në aktivitetin e tij  për vitin 2016:

  1. Numri i punëkërkuesve të papunë të regjistruar në Zyrat e Punës, në fund të vitit 2016, është ulur në 93 mijë, nga 151 mijë që ishte në fund të 2015. Kjo vjen,  si rezultat i mirëzbatimit të “Ligjit për punëkërkuesin”.
  2. Numri i punëkërkuesve të papunë të punësuar gjatë vitit 2016 është 25 mijë, nga 20 mijë që ishte në vitin 2015, ose 3 mijë më shumë se planifikimi strategjik për këtë vit.
  3. Numri i ndërmarrjeve të kontaktuara ka arritur në 38 mijë, ose 5 mijë me shumë se në fund të vitit 2015.
  4. Numri i ofertave të punës ka arritur në rreth 40 mijë në 2016, nga 35 mijë që ishin në 2015.
  5. Është realizuar  program i  nxitjes së punësimit, me një fond prej 490 milion lekë, ku  kanë përfituar 574 subjekte dhe 5,211 punëkërkues të papunë.
  6. Kanë marrë pjesë në një kurs formimi në qendrat tona publike dhe janë çertifikuar 17 mijë kursantë, ose një mijë më shumë se treguesi strategjik i planifikuar për këtë vit.
  7. Janë dërguar në qendrat e formimit 13 mijë punëkërkues të papunë,  ose  një mijë më shumë se treguesi strategjik i planifikuar për vitin 2016.
  8. Është  realizuar fondi i investimeve në masën 98 për qind , një fond ky më i larti i të gjitha viteve.

 

Share this post