TAP “bëhet” shqiptar, krijohet ndërmarrja për shpërndarjen e gazit

TAP “bëhet” shqiptar, krijohet ndërmarrja për shpërndarjen e gazit

Shteti shqiptar do të përfitojë një tarifë fikse nga konsorciumi TAP për mirëmbajtjen e tubacionit të gazit në territorin shqiptar.

Mirëmbajtja e gazsjellësit do të kryhet nga kompania më e re publike e transmetimit dhe shpërndarjes së gazit, që sapo është krijuar duke u ndarë nga Albpetrol.

“Ne kemi filluar hapat e para të negociatave me TAP-in dhe kjo do të jetë një e ardhur shtesë që garanton të ardhura për shtetin shqiptar përsa i përket transmetimit të gazit përmes tubacionit të TAP-it në Shqipëri”, deklaron Klodian Gradeci, administrator i ALBGAZ.

Administratori i ALBGAZ thotë se ka disa kompani ndërkombëtare që kanë shprehur interes për të investuar në ngritjen e rrjetit të shpërndarjes së gazit në Shqipëri.

Projektet prioritare janë lidhja me gazsjellësin Jonian-Adriatik, ndërtimi i tubacionit që do të lidhë Shqipërinë me Kosovën, si dhe rrjeti i shpërndarjes së gazit fillimisht për industrinë.

“Shqipëria ka të trashëguar një rrjet shpërndarjeje kryesisht të gazit që shtrihet përafërsisht në 500 km. Ky është një rrjet tërësisht i amortizuar, është mbi 40-vjeçar, dhe aktualisht ne jemi duke bërë një vlerësim për të parë dhe për të vlerësuar kapacitetet transmetuese faktike të këtij tubacioni”, thotë Gradeci.

Synimi tjetër, ndonëse më afatgjatë, është rrjeti i shpërndarjes për konsum familjar, kryesisht për zonat e ftohta.

“Kemi sot një interes nga Bashkia e Korçës dhe disa kompani të huaja që kanë interes për të zhvilluar rrjetin e shpërndarjes, pasi Korça supozohet të jetë një nga vendet më të ftohta dhe që mund të ketë konsumin më të madh të gazit”, vijon drejtori i ALBGAZ.

Gazi i parë do të shpërndahet nga fushat e Shah Deniz drejt Europës në 2020-n. Ai nis në kufirin midis Turqisë dhe Greqisë, ku lidhet me Gazsjellësin TANAP. Përshkon Greqinë e veriut për 550 km dhe Shqipërinë për 215 km, ku nis edhe pjesa detare në Adriatik.

Kapaciteti fillestar i TAP është 10 mld meter kub gaz në vit dhe dyfishohet me futjen në punë të dy kompresorëve të rinj.

Share this post