Investigimi i BIRN/ Shqipëria e përfshirë në trafik armësh

Investigimi i BIRN/ Shqipëria e përfshirë në trafik armësh

Kompania shtetërore e eksportit të armëve, MEICO i ka shitur 17.5 milionë fishekë kinezë, 350 mortaja dhe 40,000 predha mortajash në vitin 2015 kompanisë bullgare Alguns Ltd, e cila ishte pjesë e programit të SHBA-ve për trajnimin dhe pajisjen e rebelëve sirianë.

Kjo firmë dyshohet të ketë qenë e lidhur me një shpërthim vdekjeprurës në një poligon qitjeje në Bullgari në vitin 2015, i cili shkaktoi vdekjen e një trajneri të punësuar nga Pentagoni si punonjës në projektin e Sirisë.

Alguns Ltd është në pronësi të Alexander Dimitrov, i cili njihet si një partner biznesi i figurës famëkeqe bullgare të krimit të organizuar, Boyan Petrakiev Borisov, i njohur me nofkën “Baroni”.

Detajet mbi shitjet me vlerë prej më shumë se 1 milion euro ekspozohen nga dokumentet konfidenciale mbi eksportet e armëve, të siguruara nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative, BIRN.

Këto dokumente tregojnë se si armët e vjetra kineze dhe shqiptare si dhe municionet janë eksportuar në Bullgari si pjesë përfshirëse e katër licencave të eksportit të lëshuara nga MEICO për kompaninë Alguns në vitin 2015.

Në të njëjtën kohë, Alguns ishte e punësuar si nënkontraktor i Komandës së Operacioneve Speciale të Pentagonit (SOCOM), si pjesë e përpjekjeve të SHBA-së për të furnizuar dhe trajnuar rebelët sirianë të cilët luftojnë Shtetin Islamik, i njohur gjithashtu si ISIS.

Ekspertët e armëve besojnë se Bullgaria nuk ka gjasa të ketë qenë destinacioni final i armëve dhe municioneve shqiptare, duke marrë parasysh vjetërsinë e tyre dhe faktin që Sofja ka një ushtri relativisht moderne dhe është anëtarë e NATO-s.

Alguns refuzoi të komentojë mbi sugjerimet e ekspertëve se vendet e Lindjes së Mesme ose të Afrikës ishin destinacioni potencial i armëve të importuara nga Shqipëria.

Kompania Alguns, e lidhur me shpërthimin vdekjeprurës

Roli i Alguns në programin e armatosjes dhe trajnimit të rebelëve sirianë u bë publik për herë të parë në Qershor 2015, kur Francis Norwillo, një veteran 41 vjeçar i marinës amerikane vdiq si rezultat i shpërthimit të një predhe antitanku në një poligon qitjeje në fshatin e Aveno-s në Bullgarinë Qendrore. Ky poligon është pronë e prodhuesit shtetëror bullgar të armëve, VMZ Sopot.

Email-et dhe kontratat e siguruara nga BIRN nga një padi gjyqësore në Amerikë dhe informacionet nga burime njerëzore në Bullgari japin të dhëna të reja mbi këtë incident.

Përfshirja e Alguns në këtë shpërthim mbetet e debatueshme, por pranohet se kompania kishte një rol kyç në organizimin e qitjeve në poligon në vigjilje të incidentit vdekjeprurës.

Norwillo dhe kolegu i tij i plagosur, Michael Dougherty ishin punësuar nga Pentagoni përmes një kontrate me vlerë 28 milionë dollarë, e cila përfshinte trajnimin e rebelëve sirianë në qitje me armë të ndryshme të stilit sovjetik. Sipas një padie të ngritur në Florida nga e veja e Norwillo-s dhe nga Dougherty, ata kanë udhëtuar në Bjellorusi dhe pastaj në Bullgari, në mënyrë që pajisjet të testoheshin para hapjes në kampin e trajnimit në Jordani.

Lidhjet e krimit të organizuar

Pronari i Alguns, Alexander Dimitrov është gjithashtu një ish-partner biznesi i figurës famëkeqe bullgare të krimit të organizuar, Boyan Petrakiev Borisov, i njohur si“Baroni”.
Dokumentet nga regjistri i biznesit në Bullgari tregojnë se Dimitrov themeloi kompaninë Alguns Ltd në vitin 2008 në Sofje. Tregtia e armëve është aktiviteti kryesor i kompanisë.
Në vitin 2004, Dimitrov dhe Petrakiev ishin bashkëpronarë të një kompanie skrapi të quajtur SIB Metal. Dimitrov thotë se regjistrimi i kompanisë u anulua gjatë procesit të aplikimit dhe se ai nuk e ka parë Petrakiev që prej asaj kohe.
Në një raport të Qendrës së Kërkimeve Policore të Ministrisë së Brendshme, Petrakiev përshkruhet si një shembull i “një figure të fortë të botës kriminale”.
Dokumenti i publikuar në vitin 2010 shpjegon se Petrakiev ka qenë i dënuar dhjetë herë si dhe ai u ballafaqua me tetë çështje të tjera për një numër të madh krimesh. Akuzat përfshinin vjedhje makinash, huliganizëm, përdhunim, mbajtje e paligjshme e armëve dhe drogës dhe pjesmarrje në një grup të organizuar kriminal.
Në vitin 2009, Petrakiev u shpall fajtor për drejtimin e një grupi kriminal të përfshirë në falsifikimin e kartave të kreditit në tetë shtete.
Në vitin 2012, ai u arrestua dhe u burgos për drejtimin e një kazinoje të paligjshme.

Dokumentet nga padia kundër tri kompanive amerikane të përfshira në këtë incident – Purple Shovel, Skybridge Tactical and Regulus Global, hedhin dritë mbi dyshimet se predha antitank 30-vjeçare e prodhuar në Bullgari ishte refuzuar si e “pasigurtë” nga Pentagoni, i cili po blinte armë për rebelët sirianë.

Pas shpërthimit, autoritetet bullgare u shprehën se Alguns kishte marrë me qira poligonin dhe kishte siguruar predhën që shpërtheu. Në Shtator 2015, kompania u sanksionua me një gjobë prej  62,500 euro  pasi kishte dështuar të siguronte një leje nga Ministria e Ekonomisë në Bullgari për seancën fatale, por Alguns i mohoi akuzat dhe u pastrua më pas në Apel.

Gjykata vendosi se Ministria kishte kryer gabime të mëdha administrative dhe se nuk kishte arritur të provonte se Alguns kishte marrë me qera poligonin në ditën e aksidentit.

Purple Shovel, kontraktori kryesor i Pentagoni-t në këtë projekt i tha BIRN në një përgjigje me shkrim se kompania Alguns ishte përfshirë në këtë projekt nga nënkontraktori Regulus Global për të rezervuar seancat dhe siguruar municion për trajnimin.

Ai tha gjithsesi se aksidenti kishte ndodhur gjatë një të “shtëne rekreative” në fundjavë, pas përfundimit të trajnimit zyrtar.

Kalendari i trajnimit, i siguruar nga BIRN tregon se kompania Alguns e kishte rezervuar poligonin deri të premten e 5 Qershorit, si dhe zbulon se dy kompanitë shtetërore bullgare, VMZ Sopot dhe Arcus ishin përgjegjëse për trajnimin e kontraktorëve amerikanë me një shumëllojshmëri armësh dhe municioni të prodhimit sovjetik.

Trajnimi përfshinte llojin e mortajës së dorës, OG-7, e cila dështoi dhe si rezultat shkaktoi një shpërthim vdekjeprurës.

Skybridge Tactical, e cila kishte punësuar Norwillo dhe Dougherty ka argumentuar në dokumentet e gjykatës se shpërthimi ndodhi gjatë trajnimit zyrtar dhe se palët e dëmtuara duhej të kompensoheshin nga qeveria amerikane.

Regulus Global ka hedhur poshtë akuzat.

Ky incident nuk është i vetmi ballafaqim i Alguns me ligjin. Kjo kompani u gjobit me 1,000 euro në Qershor 2016, pasi nuk kishte siguruar dokumentacionin e duhur për një dyqan municionesh që mbante në Sliven, në jug të Bullgarisë.

Destinacioni final i armëve, në “Lindje të Mesme apo Afrikë”

Lufta në Lindjen e Mesme ka shkaktuar një rrjedhje të paparë të armëve dhe municioneve nga Ballkani ndërkohë që Bullgaria luan një rol të rëndësishëm si vendburim armatimesh dhe nyjë shpërndarjeje për ndërmjetësit e armëve.

I pyetur për blerjen e stoqeve të vjetra të Shqipërisë nga Alguns, Pieter Wezeman i Institutit Ndërkombëtar për Kërkime mbi Paqen në Stokholm- një burim kryesor i informacioneve mbi tregtinë e armëve, beson se nuk ka gjasë që Bullgaria të jetë destinacioni final i municioneve, duke marrë parasysh vjetërsinë e tyre.

Ai tha se këto pajisje mund të kenë përfunduar në Siri, Jemen ose ndoshta në Afrikë.

“Ekzistojnë disa skenarë të mundshëm,” shpjegoi Wezeman. “Njëri prej tyre mund të përfshijë transferimin e armëve në Siri ose Jemen. Një tjetër; zyrtarë të korruptuar në Afrikë mund ta kenë blerë atë si pjesë e ndonjë skeme mashtruese. Armët e tepërta funksionojnë shpesh në Afrikë për të legjitimuar eksportet, edhe pse në këto raste dyshohet shpesh për korrupsion”.

 

Share this post