MAS shtyn në 22 prill testin e rritjes së pagës për mësuesit

MAS shtyn në 22 prill testin e rritjes së pagës për mësuesit

Testimi për të fituar shkallën e kualifikimit për mësuesit e arsimit parauniversitar do të zhvillohet në datën 22 prill.

Vendimi i marrë dy ditë më parë nga MAS konfirmon se provimi me shkrim për rritjen e pagës për të gjithë mësuesit që kanë siguruar vjetërsinë e duhur të punës, nuk do të zhvillohet në datën 15 prill sikundër ishte parashikuar më herët, por shtyhet për në nisje të javës së katërt të muajit prill.

Autoritetet e Institutit të Zhvillimit të Arsimit janë duke detajuar tashmë edhe ambientet në të cilat do të zhvillohet provimi për mësuesit e arsimit të detyruar 9-vjeçar, si dhe gjimnazeve të të gjithë vendit.

Mësuesit do të hyjnë në provim me një sasi të përcaktuar pikësh të siguruara nga portofoli i zhvillimit profesional, në përmbajtje të të cilit janë të gjitha dokumentet që konfirmojnë arritjet dhe kualifikimet e fituara nga mësuesi përgjatë viteve të studimit dhe viteve të punës të kryera në shkollat përkatëse.

Ekspertët e Institutit të Zhvillimit të Arsimit sqarojnë se është hartuar edhe fondi i qindra pyetjeve për të gjitha profilet lëndore, nga ku do të përzgjidhen pyetjet finale të testit të datës 22 prill.

Struktura e testit

Pjesa e parë e tezës së provimit do të ketë në përmbajtje pyetjet që kanë të bëjnë me dijet që mësuesit duhet të zotërojnë rreth njohjes së dokumenteve zyrtare, kryesisht rreth veprimtarisë së mësuesve, programet përkatëse lëndore, metodologjinë e mësimdhënies dhe të nxënies në përgjithësi dhe të lëndës, etiken dhe komunikimin e mësuesit në institucionin arsimor, aspekte të drejtshkrimit të gjuhës shqipe, si dhe fusha të tjera mund të përcaktojë dikasteri i arsimit.

Ndërsa pjesa e dytë e testit do të përfshijë pyetjet që kanë të bëjnë vetëm me përmbajtjen shkencore të lëndës që mësuesi zhvillon në shkollë dhe për të cilën kërkon të fitojë shkallën e kualifikimit nëpërmjet këtij provimi.

Skema e vlerësimit

Vlerësimi i testeve do të kryhet në tiranë nga komisione të vlerësimit të përzgjedhura nga Instituti i Zhvillimit të arsimit, në përbërje të të cilave do të jenë mësuesit më të kualifikuar të lëndëve përkatëse. Vlerësimi përfundimtar i kandidatit bëhet me sistemin e 100 pikëve, i cili përbëhet nga pikët e portofolit, bonuseve, si dhe pikëve të pjesës së parë dhe të pjesës së dytë të provimit me shkrim.

Sipas rregullores së miratuar tashmë nga MAS, kandidati vlerësohet me pesë shkallë, të cilat emërtohen me A që korrespondon përkatësisht vlerësimit “shkëlqyeshëm”, B që është “shumë mirë”, C që është “mirë”, D që është “mjaftueshëm”, si dhe E që është “dobët”. Testimi me shkrim konsiderohet i kryer me sukses në rast se mësuesi do të arrijë të sigurojë pikët minimale të përcaktuara për secilën nga pjesët e testit përkatës.

Kandidati nuk e fiton kualifikimin, e për rrjedhojë edhe rritjen e pagës, në rast se vlerësimi që ka marrë nga komisioni përkatës është “dobët”. Por, kjo nuk do të thotë që mësuesi rrezikon humbjen e vendit të punës, apo ndonjë penalitet të llojeve të tjera. Mësuesi do të vijojë të japë mësim në të njëtën lëndë dhe të njëjtën shkollë. Ky mësues ka të drejtë që të testohet sërish për të njëjtën shkallë kualifikimi në provimet e viteve në vijim.

Mundësitë për të fituar rritjen e pagës

Sipas kushteve të përcaktuara në udhëzimin e MAS, çdo mësues ka të drejtë që të hyjë në procesin e kualifikimit për çdo kategori jo më shumë se tre herë.

Kandidati që kalon me sukses procesin e kualifikimit në kategorinë përkatëse, mund të aplikojë për të fituar kategoritë më tjetër më të lartë nëse ka, po jo më për të njëjtën shkallë provimin e të cilës e ka kaluar me sukses.

Kandidati që fiton kategorinë e kualifikimit, pajiset me certifikatën në të cilën tregohet edhe vlerësimi me shkronja i shoqëruar edhe me përshkrimin përkatës.

Kjo certifikatë më pas i kalohet drejtorive të arsimit të zonës ku mësuesi është i punësuar, nëpërmjet të cilave do të konfirmohet edhe rritja e pagës që fiton mësuesi, e cila do të jetë në masën 5 për qind, 10 për qind, ose 20 për qind për mësuesit që kanë mbi 15 vite eksperiencë pune dhe testohen për shkallën më të lartë të kualifikimi.

Sipas rregullores së kandidatët duhet që t’i mbulojnë vetë shpenzimet e udhëtimit dhe të akomodimit për të marrë pjesë në provimin e kualifikimit.

Duke qenë se numri i mësuesve të arsimit fillor dhe atij parashkollor që do të konkurrojnë gjatë këtij viti për shkallën e kualifikimit është më i lartë se sa i profileve të tjera, bashkangjitur shkrimit po detajojmë dy programet me temat nga ku do të merren pyetjet finale të testit.

Mësueseve të këtyre dy cikleve u detajohet edhe literatura që duhet të përvetësojnë për provimin me shkrim të datës 22 prill.

Ndëshkimet në ditën e provimit

Kandidati nuk lejohet:

  1. Të marrë apo të japë informacion, ose kopje nga një kandidat tjetër në ambientet e testimit.
  2. Të komunikojë me një kandidat tjetër.
  3. Të bëjë komente për përmbajtjen e testit gjatë kohës së dhënies së provimit.
  4. Të mbajë celular ose mjet tjetër të teknologjisë së komunikimit dhe informacionit.
  5. Të plotësojë testin me laps.
  6. Të shkruajë në fletën e provimit ndonjë shënim tjetër krahas atyre që kërko testi.
  7. Të ketë me vete materiale, libra, shënime, etj.
  8. Të ndërrojë vendin e paracaktuara nga Instituti i Zhvillimit të arsimit.
  • Kandidati, që ka shkelur një ose më shumë nga pikat e mësipërme, përkatësisht pikën 1, 2, 4, 6, 7 dhe 8 sipas raportimit me shkrim të administratorit përkatës, largohet nga provimi ose skualifikohet dhe nuk fiton kategorinë e kualifikimit për të cilën po konkurron.
  • Ndërsa kandidatët që shkelin pikën 3 apo 5, do të penalizohen me ulje të pikëve nga vlerësimi i përgjithshëm. Për secilën nga këto shkelje, këta kandidatë do të penalizohen me ulje të 10 pikëve nga vlerësimi total që sigurojnë në testimin me shkrim.
  • Mësuesit të cilët nuk do të arrijnë të marrin kategorinë e kualifikimit për shkak të masave disiplinore të marra ndaj tyre nuk kanë të drejtë që për dy vite rresht të aplikojnë serish për të hyrë në testimin e rritjes së pagës.

Masa e rritjes pagës

  • Mësuesit që kanë eksperiencë pune 5 vjeçare konkurrojnë për shkallën e kualifikimit “Mësues i kualifikuar”, e nëse kalojnë me sukses testimin, sigurojnë rritje page në masën 5 për qind.
  • Mësuesit që kanë eksperiencë pune 10 vjeçare konkurrojnë për shkallën e kualifikimit “Mësues specialist”, e nëse kalojnë me sukses testimin, sigurojnë rritje page në masën 10 për qind.
  • Mësuesit që kanë eksperiencë pune 20 vjeçare konkurrojnë për shkallën e kualifikimit “Mësues mjeshtër”, e nëse kalojnë me sukses testimin sigurojnë rritje page në masën 20 për qind.

 

Share this post