Kolumbi: qindra njerëz humbën jetën për shkak të një rrrëshqitje dheu

Kolumbi: qindra njerëz humbën jetën për shkak të një rrrëshqitje dheu

 

Një rrëshqitje dheu për shkak të reshjeve të dendura goditi qytetin kolumbian të Mokoas dhe u mori jetën më shumë se 250 personave. Presidenti Juan Manuel Santos vizitoi qytetin e prekur nga fatkeqësia të shtunën dhe shpalli gjendje të jashtëzakonshme.

Në qytetin jugperëndimor kolumbian të Mokoas, një lumë balte dhe uji përpiu ura, automjete dhe pemë.

Rrëshqitjet e tokës në Mokoa ndodhën të premten vonë, pas disa ditë reshjesh të dendura në qytetin me 40 mijë banorë.

Ushtria tha në një deklaratë se 254 njerëz humbën jetën, 400 persona ishin lënduar dhe 200 ende nuk ishin gjetur.

Më shumë se 1.100 ushtarë dhe policë u thirrën për të ndihmuar banorët e 17 lagjeve të prekura nga tragjedia natyrore.

Presidenti kolumbian Juan Manuel Santos u takua me të mbijetuarit në Mokoa dje, dhe shpalli gjendje të jashtëzakonshme për shëndetin publik dhe sigurinë për të përshpejtuar operacionet e shpëtimit dhe të ndihmës.

“Ne do të bëjmë çdo gjë të mundur për të ndihmuar familjet, dhe jo vetëm ata që humbën të dashurit e tyre, por të gjithë ata që kanë banesat. Zemra ime dhe zemrat e tërë kolumbianëve janë me viktimat e kësaj tragjedie” tha ai.

Disa rrëshqitje dheu vdekjeprurëse kanë goditur Kolumbinë gjatë muajve të fundit.

Një rrëshqitje dheu në nëntor shkaktoi vdekjen e 9 personave në qytetin rural jugperëndimor të El Tambos. Ndërsa një rrëshqitje dheu para një muaj mori jetën e 10 personave në veri të Kolumbisë.

Kolumbia, si vend malor me reshje të dendura dhe ndërtime pa leje jshtë standardeve të sigurisë teknike vuan shpesh tragjedi të kësaj natyre, por përmasat e dëmeve në njerëz e materiale në Mocoa e bëjnë këtë, një fatkeqësi natyrore të jashtëzakonshme.

Ndryshimi i klimës mund të luajë një rol të madh në shkallën e fatkeqësive natyrore si ky i fundit, i tha agjencisë mediatike AFP shefi i OKB-së për Kolumbinë, Martin Santiago.

Share this post