Regjistrimi i PD-së në KQZ, Zguro: Të veprohet si me Laçin

Regjistrimi i PD-së në KQZ, Zguro: Të veprohet si me Laçin

Mesnata e së hënës është afati i fundit për regjistrimin e subjekteve politike për tu regjistruar në zgjedhjet e 18 qershorit. Gjatë mbledhjes së fundit të KQZ-së u regjistruan si subjekte zgjedhore disa parti, por për asnjë moment Denar Biba nuk përmendi shtyrjen e datës për t’i dhënë mundësi opozitës për tu regjistruar si subjekt zgjedhor, vetëm apo në koalicion.

Por, zërave për një mundësi të tillë, përgjigjjen ia dha anëtari i djathtë i KQZ-së Klement Zguri, sipas të cilit precedenti është vendosur në vitin 2015, në zgjedhjet vendore për Bashkinë e Laçit: “Nuk është i largët viti 2015 kur një subjekt zgjedhor e lanë pa një kandidat vetëm sepse kishte kaluar data për regjistrimin e tij me vetëm 24 orë. Ndaj, ajo situatë flet vetë. Jemi i njëjti institucion si atëherë, si sot, është e njëjta KQZ. Në atë rast, KQZ ndoqi rrugë tjetër”.

Zguri tha se KQZ-ja duhet të zbatojë vetëm Kodin Zgjedhor dhe të respektojë afatet.

“Janë tre momente, neni 64, 65 dhe 67. Afatet, sipas nenit të parë, partia apo subjekti zgjedhor duhet të bëjë kërkesë jo më vonë se 70 ditë përpara zgjedhjeve për tu regjistruar. Afati ishte data 9 dhe u shty për sot. Afati është deri në mesnatë. Neni 65 flet për koalicionet, që partitë e regjistruara në zgjedhje duhet të vendosin për koalicionet, jo më vonë se 60 ditë është afati. Dhe neni 67 që partitë dhe koalicionet, jo më vonë se 50 ditë para sjellin listat e kandidatëve. Duhet të respektojmë vetëm afatet. Kaq”, shtoi Zguri.

Tashmë, palët politike kanë edhe 2 afate të tjera për të respektuar, 19 prillin si afatin e fundit për të regjistruar koalicionet për 18 qershorin dhe 5 majin si afatin e fundit për të dorëzuar pranë KQZ-së listat e deputetëve.

Share this post