Kriza në mazhorancë, Dritan Hila: Idrizi nuk djeg jorganin për një plesht

Kriza në mazhorancë, Dritan Hila: Idrizi nuk djeg jorganin për një plesht

Pas votimeve në parlament për anëtarët e komisionit ad –hoc të Vettingut, analisti Dritan Hila deklaron se me përjashtimin e kreut të PDIU-së Shpëtim Idrizit nga ky komision, mund të përçahet koalicioni qeveritar.

“Të gjithë prisnim që do të ndodhte një nga skenarët që ishte menduar ose Meta do të tërhiqte Ministrat e tij nga qeveria ose do të ishte qasja tjetër që do të ndërmerrte një veprim më ekstrem, por ndodhi ajo që ishte thënë. Mendohej që mund të përshkallëzohej situata në mbledhje të Kuvendit dhe mund të kalohej në votëbesim për të matur sesa numra ka njëri dhe sa numra ka tjetri. Nuk u vërtetua asnjë nga kjo. U vërtetua ajo që pritej, komisioni i vettingut. E vetmja risi është hatërmbetja e PDIU, zotit Idrizi që pretendonte të kishte një anëtar në këtë komision. Kjo është fara edhe e një krize të re brenda mazhorancës. Ai hyn tek skema e zotit Rama për të mbajtur qeverinë në rast të një veprimi ekstrem të LSI për të mos marrë pjesë në zgjedhje.

Idrizi është pozicionuar dhe ka thënë se nuk do të marrim pjesë në zgjedhje pa opozitën. Edhe në këtë rast mendoj që është një lloj qasje e tij për të treguar se është i pakënaqur me këtë qeveri. Por ai është politikan i vjetër dhe nuk mund të djegë për një plesht jorganin. Vendimi se çfarë pozicioni do të mbajnë në të ardhmen do të ketë gjithmonë lidhje me konjekturën e përgjithshme politike dhe jo vetëm me faktin që nuk ju dha një anëtar në Komisionin e vettingut.”, shprehet Hila.

Në seancën e sotme plenare, Shpëtim Idrizi nuk ka marrë votat e nevojshme për të qenë anëtar i komision ad hoc për vettingun. Deputetët e Kuvendit, pa opozitën, miratuan kandidaturat e dy anëtarëve të PS-së Vasilika Hysi, Ulsi Manja dhe atë të LSI-së, Luan Rama. Mirëpo kryetarja e grupit parlamentar të PDIU-së Mesila Doda, është shprehur mjaft e pakënaqur me këtë votim, sidomos prej faktit që opozita nuk ishte pjesë.

 

Share this post