Moskë, Tillerson synon të bindë Rusinë të heqë dorë nga Assadi

Moskë, Tillerson synon të bindë Rusinë të heqë dorë nga Assadi

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson po zhvillon bisedime në Rusi me homologun e tij, Sergei Lavrov, teksa Amerika po përpiqet të bindë Moskën të ndalë mbështetjen ndaj presidentit sirian, Bashar al-Assad. Vizita vjen mes tensioneve të ngritura për shkak të sulmit kimik të javës së kaluar në Siri, si dhe ndërhyrjes ushtarake të Shteteve të Bashkuara ndaj një baze ajrore.

Rusia ka dënuar sulmin amerikan dhe ka deklaruar se qëndron në krah të presidentit sirian, Bashar al-Assad, aleatit të saj prej një kohe të gjatë. Por presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se Shtetet e Bashkuara nuk ka plane të tjera mbi Sirinë dhe se “nuk do të përfshihet” në luftën civile të vendit.

Të martën, Sekretari amerikan i Mbrojtjes e bëri të qartë se prioritet mbetet mposhtja e grupit xhihadist të Shtetit Islamik. “Politika jonë ushtarake në Siri nuk ka ndryshuar”, tha Jim Mattis.

Sulmi ajror i javës së kaluar krijoi konfuzion mbi politikën amerikane në Siri, me disa zyrtarë që sugjeronin një qëndrim më agresiv ndaj presidentit Assad. Ndërkohë, Tillerson është duke u takuar me Lavrovin, pasi paralajmëroi se Rusia po rrezikonte të bëhej e parëndësishme në Lindjen e Mesme, pikërisht për shkak të mbështetjes së Assadit. Ai këmbënguli gjithashtu se presidenti sirian nuk mund të luajë më rol në të ardhmen e vendit.

Por sesa do t’ia arrijë Tillerson të bindë Moskën për të hequr mbështetjen ndaj Assadit, kjo mbetet për t’u parë, edhe pse vështirë të arrihet.

Shtëpia e Bardhë tha gjithashtu se Rusia është përpjekur të shfajësojë regjimin sirian për sulmin kimik që vrau 89 persona. Raportet e shërbimeve sekrete amerikane tregojnë se ishte qeveria siriane që përdori armët kimike gjatë sulmeve ajrore në qytetin e kontrolluar prej rebelëve, Khan Sheikhoun, ndërsa Ministria turke e Shëndetësisë konfirmoi të martën se ishte përdorir agjenti nervor sarin.

Siria, gjithsesi e mohon këtë, ndërsa Moska fajëson forcat rebele, që sipas saj kishin grumbulluar armë kimike në një depo të goditur nga sulmet ajrore të forcave qeveritare.

Këshilli i Sigurimit pritet të votojë këtë të mërkurë një projektrezolutë, të ndërmarrë nga SHBA, Britania e Madhe dhe Franca, e që kërkon nga qeveria siriane të bashkëpunojë në hetimin e sulmit kimik. Ndërsa presidenti Putin ka bërë thirrje për një hetim të pavarur të OKB-së.

Share this post