Shkrimi i autorit francez në vitin 1608. Çfarë ndodhi me varrin e Skënderbeut pasi Lezha u pushtua nga turqit

Shkrimi i autorit francez në vitin 1608. Çfarë ndodhi me varrin e Skënderbeut pasi Lezha u pushtua nga turqit

 

Nga Aurenc Bebja

Në librin francez, të autorit Adrien de Boufflers, me titull “Le chois de plusieurs histoires et autres choses mémorables tant anciennes que modernes appariées ensemble, pour la plupart non encore divulguées”, botuar në vitin 1608 nga shtëpia botuese mbretërore franceze, P. Mettayer, gjejmë një shkrim të rrallë, në faqet n° 102 – 103, dedikuar posaçërisht heroit tonë kombëtar, të madhit Gjergj Kastrioti.

Trimi shqiptar tashmë kishte ndërruar jetë. Kur turqit, e morën vesh, nuk vonuan të pushtonin Lezhën dhe të shkonin tek varri i luftëtarit legjendar që i kishte tmerruar për një çerek shekulli.

 

“Pasi Muhamedanët pushtuan qytetin e Lezhës, ku ishte varrosur Rrufeja e madhe e luftës, Skënderbeu, ata e nxorën trupin e tij nga varri për të parë të vdekur njeriun që i kishte bërë të largoheshin të tmerruar qoftë dhe vetëm me përmendjen e emrit të tij.

Të afruar pranë kockave të tij, këta ndiheshin të lumtur që mund t’i preknin, ose të paktën t’i admironin. Edhe krerët dhe komandantët morën monedhat e arit dhe të argjendit, e i mbanin ato me nderim të madh sikur të ishin diçka e shenjtë (hyjnore) duke besuar seriozisht se mbajtja e këtyre relikeve do t’u sillte atyre lumturi ashtu si qiejt kishin vepruar për Skënderbeun.

Bëmat e Skënderbeut në luftë nuk janë admiruar vetëm nga kapitenët Muhamedanë, por edhe nga vetë perandori (sulltani) Mehmet, i cili për të imituar princin shqiptar, përdori shpatën e tij pas vdekjes, duke menduar se do të bënte të njëjtat bëma me dorën e tij kundra të Krishterëve, të përjetonte të njëjtën eksperiencë si Mbreti i Epirit, por këto tehe nuk prenë ndaj të Krishterëve.

Virtyti nuk vinte aspak nga shpata, por nga energjia nervore e krahut dhe dorës së shpirtmadhit Skënderbe, i cili e përdorte atë për të flakëruar mohuesit”.

Share this post