Jehona e vizitës së Gabriel

Jehona e vizitës së Gabriel
Minimi i shtetit ligjor në Shqipëri nuk është në interesin e Bashkimit Europian. Me këtë fjali e përmblidhte DW në artikullin e saj kushtuar vizitës së Sigmar Gabrielit në Tiranë dhe mesazhit të përcjelle prej ministrit të Jashtëm gjerman politikanëve të vendit tonë.

Ndalesa e Gabrielit në Shqipëri vjen në një moment kur kriza politike është shumëplanëshe, kur reforma në drejtësi është e ndaluar e kur zgjedhja e Presidentit të Republikës dhe zgjedhjet e përgjithshme janë ende të pasigurta në realizimin e tyre. Kjo ishte dhe arsyeja përse në qëndrimin e tij disaorësh, shefi i diplomacisë gjermane preferoi të ishte sa më i drejtpërdrejtë, duke dhënë vlerësimet e Berlinit zyrtar për atë që po ndodh në Shqipëri.
Në mesazhet për klasën politike ai e lidhi dinamikën e zhvillimeve aktuale me procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Sipas Gabrielit, ai vend që dëshiron të shkojë i sigurtë drejt BE-së duhet të konsolidojë ligjet, Kushtetutën dhe Parlamentin, vazhdon DW.

“Mbi bazën e Kushtetutës dhe ligjeve të zbatohet reforma në drejtësi. Kush nuk e bën këtë ai e largon Shqipërinë nga rruga e BE. Është absurde që deputetët e zgjedhur refuzojnë të bëjnë punën e tyre në parlament. Është e paimagjinueshme që opozita përpiqet të ndryshojë gjendjen jo përmes zgjedhjeve, por përmes bojkotit. Për ne është mjaft e rëndësishme që mbi bazën e Kushtetutës dhe ligjeve të zbatohet reforma në drejtësi”, citohet kryediplomati gjerman.

“Ministri i jashtëm gjerman i bën thirrje opozitës shqiptare t’i japë fund bojkotit parlamentar, të mos bllokojë reformën në drejtësi e të marrë pjesë në zgjedhjet e përgjithshme të qershorit” shkruan Associates Press.

Gabriel e artikuloi qartë se as Gjermania dhe as BE-ja nuk arrijnë dot ta kuptojnë kërkesën e opozitës për qeveri teknike vetëm pak javë përpara votimeve të 18 qershorit. Ai e cilësoi krejtësisht absurd bllokimin e rruges e shtoi se ligjvënësit opozitarë duhet të përpiqen të zbatojnë ndryshimet në Parlament, vazhdon agjencia prestigjoze e lajmeve.

Share this post