Ministri Dervishaj: 47 milionë euro investime në ujësjellës kanalizime

Ministri Dervishaj: 47 milionë euro investime në ujësjellës kanalizime

 

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Sokol Dervishaj bashkë me Ambasadoren Gjermane në Shqipëri Susanne Schutz, ministrin e financave, Arben Ahmetaj, ambasadorin zvicerian Christoph Graf dhe përfaqësues të bankës Gjermane për Zhvillim KFW, ka firmosur marrëveshjen për bashkëpunim financiar, për programin Infrastruktura Bashkiake, 3 dhe 4.  Marrëveshja parashikon investime në vlerën e 47 milion eurove në total, në ujësjellës kanalizime në 8 qytete. Ministri Dervishaj, tha se falë  këtyre investimeve në këto zona do të zgjidhet problematika e ujit.

“Firmosja e këtyre marrëveshjeve, është me interest të jashtëzakonshëm për qytetarët. Ne formalizojmë sot, avancimin e projektit të zhvillimit të infrastrukturës rajonale nëpërmjet fazave 3 dhe 4, pas një proçesi shumë të suksesshëm bashkë me KFV, me pushtetin vendor, por edhe me institucionet e tjera përgjegjëse, të fazave 1 dhe 2. Ne kemi parë të avancojnë këto projekte, siç ishte edhe inagurimi iI Ujësjellësit të ri të Sarandës bashkë me ambasadoren Gjermane. Avancimi dhe thellimi i bashkëpunimin me Gjermaninë, po sjell frute konkrete për qytetarët shqiptar. Sot ne i hapim rrugë avancimit të fazave 3 dhe 4, duke investuar në ujësjellës kanalizime në 8 qytete një shumë prej 47 milion eurosh”,- tha Dervishaj.

Bashkitë që përfitojnë, janë nga ky projekt janë ajo e Delvinës, Kuçovës, Beratit, Gjirokastrës, Lushnjës, Prrenjasit, Kamzëz dhe Librazhdit. Ministri premtoi se në fund të këtij projekti do të ketë një situatë krejt tejtër në furznimin me ujë. “Në përfundim të këtyre projekteve, ne i japim fund problemeve në furnizim me ujë të këtyre zonave duke bërë të mundur furnizimin 24 orë në ditë. Menaxhimi i Ujit nga ujësjellësit, duhet të jetë tërësisht i ndryshëm nga situate e sotme. Me reformën e re territoriale, pushteti vendor ka më shumë autonomi dhe më shumë përgjegjësi, përveç transferimit të aseteve, kanë edhe menaxhimin e gjithë infrastrukturës së ujësjellës-kanalizimeve”,- tha Ministri Dervishaj.

Ministri vlerësoi si mjaft pozitiv bashkëpunimin mes pushtetit vendor dhe atij qendror për këto projekte. “Dua të them se ka një bashkëpunim shumë të mirë mes pushtetit qendror dhe atij lokal në lidhje me ujësjellësat, për t’ju ofruar qytetarëve një shërbim sa më cilësor, me kosto sa më të përballueshme. Ka ardhur koha që uji i pijshëm, të mos jetë gangrenë për qytetarët shqiptar, por një shërbim që ofrohet me cilësinë e nevojshme, por edhe me koston e nevojshme”,- tha Dervishaj.

Ministri Sokol Dervishaj u shpreh se investime të tilla kërkojnë dhe staf të kualifikuar që shmang keqmenaxhimin. “Në të ardhmen ne synojmë rritjen e burimeve njerëzore dhe menaxhuese në ujësjellës, ta kthejmë në një biznes fitimprurës për ekonominë lokale dhe kombëtare. Në të shkuarën kemi parë që investime serioze në këtë sektor, nuk kanë patur sukses për shkak të keqmenaxhimit. Prandaj është shumë e rëndësishme që kapacitetet njerëzore dhe menaxheriale të rriten në nivelin e duhur, për të hapur një fazë të re në ujësjellës-kanalizime. Avancimi i këtij projekti vijon më tej me fazat 5-6, duke angazhuar dhe aktorë të tjerë si Bashkimi Europian etj, për të përmbushur detyrimet ndaj qytetarëve”,- tha ministri Sokol Dervishaj.

Qytete që përfitojnë nga projekti

Delvinë

Kuçovë

Berat

Gjirokastër

Lushnjë

Përrenjas

Kamzë

Librazhd

Share this post