PS-LSI shtyjnë koalicionin

PS-LSI shtyjnë koalicionin

Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kërkojnë shtyrjen e afatit të regjistrimit të partive politike në zgjedhje.

Në një kërkesë të dorëzuar në KQZ, thuhet se PS dhe LSI si dhe forcat e tjera të Aleancës për Shqipërinë Europiane, janë në përpjekje të vazhdueshme për të negociuar me opozitën, për të mundësuar pjesëmarrjen e plotë të të gjithë spektrit ekzistues politik të vendit në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë, të datës 18 qershor.

Forcat e majta e argumentojnë kërkesën me kontekstin social-politik në Shqipëri, që, sipas tyre, nuk mund të neglizhohet nga asnjë institucion publik në vend dhe aq më pak nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

“Kërkojmë nga ana juaj një qëndrim në lidhje me mundësinë për të shtyrë afatin e regjistrimit të partive politike në zgjedhje (neni 64 i Kodit Zgjedhor) dhe të regjistrimit të koalicioneve zgjedhore (neni 65 i Kodit Zgjedhor). Në gjykimin tonë, tejkalimi i afateve të parashikuara nga nenet 64 dhe 65 të Kodit Zgjedhor me disa ditë, ndërkohë që nuk do të sillte asnjë pasojë penalizuese, nga ana tjetër do të kontribuonte për të krijuar hapësira për të siguruar një proces sa më gjithëpërfshirës”, lexohet në kërkesën e nënshkruar nga shefat e grupeve parlamentare të PS-së dhe LSI-së.

Share this post