“Memory” i regjisorit kosovar, premierë botërore në SHBA

“Memory” i regjisorit kosovar, premierë botërore në SHBA

 

Një tjetër emër që lartëson filmin shqiptar në arenën ndërkombëtare. Këtë herë është regjisori nga Kosova Ilirjan Himaj që përfaqëson kinematografinë tonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke u përzgjedhur pas një gare me mijëra filma nga e gjithë bota. Do të jetë filmi me metrazh të shkurtër “Memory”, i cili pritet të shfaqet premierë botërore në edicionin e 65-të të ‘Columbus Film & Video Festival’, në Ohio më datën 20 prill.

Fabula e filmit: Gjyshi del të blejë dhuratë për nipin, s’gjen rrugën për në shtëpi

Në qendër të këtij filmi është historia e një gjyshi që kushtëzohet prej dy “rrethanave”, dashurisë për nipin si dhe sëmundjes së Alzheimerit që e degdis rrugëve pa adresë.  “Columbus Film & Video Festival’ është edhe festivali më i vjetër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thotë regjisori Himaj.  “‘Memory’, brenda javës do të shfaqet edhe në dy festivale të tjera, në edicionin e 50-të të “Humboldt Film Festival” në Kaliforni dhe në edicionin e 17-të të “Festival Internacional de Cine de Lanzarote” në Spanjë”. Filmi me skenar dhe regji të Ilirjan Himaj  ka producentë Agron Shalën dhe Latif, ndërsa në kastën e aktorëve bëjnë pjesë Xhevat Qorraj, Bibi Qena, Selman Lokaj, Avdullah Gjikokaj, Besim Ajeti, Agron Krasniqi, Labinot Lajçi dhe Agron Shala.

Filed in: Art

Share this post