Sëmundja diabetike e veshkave. Zbulohet mënyra si luftohet

Sëmundja diabetike e veshkave. Zbulohet mënyra si luftohet

 

Shkencëtarët e Edinburgut kanë identifikuar një molekulë kyçe të lidhur me sëmundjen e veshkave tek njerëzit me diabet.

Bllokimi i proteinës parandalon dëmtimin e veshkave, që lidhet me diabetin. Shkencëtarët e Universitetit të Edinburgut thanë, se studimi i kryer në minj bëri të mundur identifikimin e proteinës kyçe dhe se gjetjet mund të çojnë në zhvillimin e terapive të reja.

Proteina e quajtur P2X7R luan një rol të rëndësishëm në inflamacion dhe në sistemin imunitar dhe ka qenë më parë e lidhur me sëmundjet e veshkave, por jo me diabetin. Kjo është hera e parë që tregohet se kjo proteinë shkakton sëmundje diabetike të veshkave.

Studiuesit gjetën nivele të larta të P2X7R në biopsitë e veshkave te njerëzit me diabet, ndërkohë që kjo proteinë ishte e padallueshme te ata pa diabet. Në eksperimentet e realizuara te minjtë që nuk kanë genin që zhvillon P2X7R, nuk pati dëmtim të veshkave si përgjigje ndaj diabetit. Kjo sipas studiuesve tregon, se dëmi mund të parandalohet.

Diabeti rezulton në nivele të larta të sheqerit në gjak dhe prek 415 milion njerëz globalisht. Kjo është shkaku kryesor i dështimit të veshkave. Rreth 40% e njerëzve me diabet përfundimisht zhvillojnë sëmundje të veshkave.

Share this post