David Trezege viziton Shqipërinë dhe i thur elozhe kombëtares: Ka shanse të rritet për objektiva më të mëdha

David Trezege viziton Shqipërinë dhe i thur elozhe kombëtares: Ka shanse të rritet për objektiva më të mëdha

 

Ish- sulmuesi i njohur i skuadrës së Juventusit dhe kombëtares Franceze, David Trezege, ka qenë i pranishëm ditën e djeshme në Shqipëri.

Në një takim me gazetarët, Trezege foli për ecurinë e kombëtares shqiptare në kampionatin europian ku nuk i kurseu elozhet.

“Shqipëria bëri një rrugëtim interesant në Europian. Pashë një ekip kompakt, mjaft të përkushtuar në fushë, me një trajner italian si De Biazi, të cilin e njoh mirë. Rruga juaj drejt Botërorit duket e komplikuar, por me motivim në të ardhmen Shqipëria i ka shanset të rritet për objektiva të tjera. Kundër Francës në Europian pashë një popull shumë të dashuruar pas futbollit dhe ky është tregues që mund t’ju ndihmojë”

Më tej, David Trezege, tha dhe mendimin e tij se kush skuadër mund të fitojë këtë vit trofeun e “Uefa Champions League”. Sipas Trezege, Reali ka më shumë shanse se ekipet  e tjera për të dalë kampion.

“Unë them që Reali po tregon se aktualisht është një hap mbi ekipet e tjera gjysmëfinaliste, falë formës që ka treguar në Champions, por edhe në kampionat, pa harruar që në fund të fundit ata janë kampionet në fuqi.Por nga ana tjetër, Juventusi, qoftë në kohën kur luaja unë qoftë në ditët e sotme, e ka mundur Realin, kështu që deri në fund çdo gjë është e mundur. Ky Juventus në fakt është shumë i fortë, por edhe skuadra kur luaja unë në 2004 – 2005 me emra si Ibrahimoviç, Turam, Kanavaro,Vieira, kishte të njëjtat objektiva si kjo skuadër sot. Pra të fitonte gjithçka.Ekipi aktual po bën gjithçka mirë. Nuk duhet të harrojmë që para dy vitesh luajtën në finale me Barcelonën. Në gjysmëfinale nuk do të jetë e lehte, por mendoj se bardhezinjtë i kanë të gjitha kartat e duhura për t’i shkuar deri në fund, çka e treguan edhe kundër Barcelonës ku i interpretuan të dyja ndeshjet mjaft mire” tha Trezege.

Share this post