Fiton apo humbet, Le Pen është makthi i BE-së

Fiton apo humbet, Le Pen është makthi i BE-së

 

Nga Pieter Cleppe

Drejtori i Zyrës së Brukselit të “Open Europe”

“CNN”

Franca shkon në votime të dielën, për të votuar në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale. Fushata ka qenë e mbushur me skandale, gafa dhe surpriza.

Megjithatë, në vitin pas vendimit të Britanisë për t’u larguar nga Bashkimi Europian dhe atij të votuesve amerikanë për t’i dhënë Donald Trumpit presidencën e SHBA, një kandidate e ka dominuar mbulimin mediatik: Marine Le Pen, populiste, nacionaliste dhe ekstremiste.

Partia Fronti Nacional e Le Pen ka një histori të gjatë euroskepticizmi dhe ajo promovon një numër politikash, të cilat bien ndesh me parimet që janë në bazë të projektit evropian.

Në vitet e fundit, Le Pen është përpjekur të zbusë imazhin e saj, si edhe pozicionin e partisë që drejton, në lidhje me çështjen e së ardhmes së Francës në BE.

Dikur, Fronti Nacional ishte në favor të braktisjes së Euros, dhe e thoshte troç. Kohët e fundit, ajo ka deklaruar se do të organizonte një referendum, mbi anëtarësimin e Francës në monedhën e përbashkët.

Tani, ajo ka deklaruar se do të përpiqet të rinegociojë anëtarësimin e Francës në BE, brenda gjashtë muajve. Nëse kjo përpjekje dështon, ajo do të mbajë një referendum.

A mund të mbajë një referendum dhe çfarë mund të ndodhë nëse e bën?

Edhe nëse fiton presidencën, Le Pen do të tregohej e mençur ta “mbante shampanjën në akull” për njëfarë kohe. Ajo nuk ka shanse të marrë shumicën në zgjedhjet parlamentare të Francës, që do të mbahen më 11 qershor, dhe për këtë arsye do të përballej me një qeveri – ndoshta të qendrës së të djathtë – që do ta pengonte në ekzekutimin e planeve të saj për mbajtjen e një referendumi.

Megjithatë, ajo do të mund të thërriste një referendum jodetyrues, pa miratimin e qeverisë.

Nëse populli francez do të votonte për të qëndruar në Euro – që ka të ngjarë të ndodhë, nëse u beson sondazheve të opinionit francez – ajo do të largohej, duke pasur parasysh se “70% e projektit tim, nuk do të mund të vihej në zbatim”.

Edhe nëse një shumicë në Francë, do të votonin për t’u larguar nga BE dhe eurozona, do të ishte e paligjshme nga pikëpamja kushtetuese, që Franca të largohej, pasi kushtetuta e saj thotë se “Republika është pjesë e Bashkimit Evropian”. Pra, një dalje e Francës nga BE do të kërkonte një ndryshim të madh kushtetues.

Frexit dhe ekonomia

Natyrisht, të gjitha këto konsiderata ligjore, lidhur me anëtarësimin në BE, pak rëndësi do të kenë, nëse Franca realisht do të vendosë të largohet nga eurozona. Kaosi ekonomik që ka gjasa të shkaktojë, do të ishte prioriteti kryesor për këdo në Francë, por edhe në të gjithë kontinentin.

Banka Qendrore Franceze ka vlerësuar se rifinancimi i borxhit publik francez jashtë eurozonës do të kushtonte më shumë se 30 miliardë euro në interesa vjetore shtesë.

Sipas Le Pen, dalja nga euro nuk do të rezultojë në “katastrofë” ekonomike. Ajo ka theksuar se dëshiron që Franca të largohet nga eurozona, në rrethanat më të mira të mundshme, duke shtuar se ajo nuk dëshiron të “thyejë pjatat”. Le Pen ka siguruar se do të donte që kjo të ndodhte përmes konsultimeve me vendet e tjera evropiane, që ajo mendon se po “vuajnë” nga anëtarësimi në euro, duke parashikuar kështu që Italia, Spanja dhe Greqia, do t’i bashkoheshin Francës.

Edhe një presidente e moderuar Le Pen, do të hapte telashe për BE-në

Nëse Franca voton për të qëndruar në eurozonë, por Le Pen nuk dorëhiqet, disa nga propozimet e tjera që ajo ka bërë, zor se përputhen me parimet që janë në themele të BE-së. Mjaft të shikoni propozimet e saj proteksioniste, të tilla si vendosja e një takse mbi importet, prej 30%.

Në të vërtetë, gjithçka do të ishte në tryezë, nëse Le Peni do të zgjidhej, duke pasur parasysh dëmet politike që do i shkaktoheshin BE-së dhe eurozonës: projekte që janë tërësisht të ngritura mbi vullnetin e mirë politik.

Sa i përket Shengenit, gjërat mund të jenë serioze, që në krye të herës. Ajo sapo ka bërë të qartë se nëse zgjidhet, do të pezullojë menjëherë anëtarësimin e Francës në zonën pa kufij.

Komisioni Evropian tashmë ka parashtruar mundësinë e pezullimit të Shengenit, por kontrollet e duhura kufitare – me të gjitha bllokimet e trafikut që do të shkaktonin, siç u pa kur ato u zbatuan midis Kroacisë dhe Sllovenisë disa javë më parë – do të krijonin dëme të menjëhershme mbi ekonominë.

Dhe sikur të mos mjaftonte shkuarja e Le Penit në balotazh përballë një kandidati centrist, ngjitja e kandidatit të të majtës ekstreme, Jean-Luc Mélenchon në javët e fundit, i ka shtuar kokëçarjet e BE-së. Mélenchon gjithashtu dëshiron të rinegociojë anëtarësimin e Francës në BE, dhe ka deklaruar se ai do ta hedhë vendimin në referendum, nëse nuk merr atë që dëshiron.

Nuk është çudi që ministri gjerman i financave, Volfgang Schauble e ka përshkruar “si një makth të vërtetë”, mundësinë e një skenari balotazhi Le Pen përballë Melenchon.

Nëse Le Pen në fund humbet – këtë fundjavë apo muajin e ardhshëm – establishmenti politik në Bruksel do të mundet të nxjerrë një psherëtimë lehtësimi. Megjithatë, po bëhet gjithnjë e më e qartë se, fiton apo jo Marine Le Peni, suksesi i fushatës së saj dhe flakët që ka ndezur, do të bëjnë që çdo lloj festimi, të jetë jetëshkurtër.

Share this post