Koordinatori i Brexit: May, një oportuniste politike

Koordinatori i Brexit: May, një oportuniste politike

 

Pretendimi i Theresa May se do të jetë më e fortë në bisedimet për Brexit nga zgjedhjet e përgjithshme u cilësua si gjepura nga koordinatori i Parlamentit Europian për Brexit, i cili e quajti kryeministren britanike një “oportuniste politike”.

Në një sulm mjaft të ashpër verbal, Guy Verhofstadt sugjeroi se kryeministrja May ishte e motivuar nga konsideratat politike partiake dhe jo nga interesat kombëtare kur kërkoi zgjedhjet e parakohshme. Ish kryeministri belg Verhofstadt, i cili do të luajë një rol thelbësor në negociatat për Brexit, në një shkrim në gazetën “Observer” thotë se zgjedhjet e lajmëruara nga May janë një tentativë për të kapur pushtetin nga partia konservatore, e cila kërkon të shfrytëzojë kaosin që mbizotëron brenda laburistëve për të siguruar edhe 5 vjet në pushtet, para se realiteti i Brexit të bëhet i qartë.

“Disa thonë se Theresa May organizoi zgjedhjet që të arrijë një marrëveshje më të mirë për Brexit me BE. Kjo është pa sens. Nuk ka rëndësi se sa deputetë konservatorë shton May në parlament pas zgjedhjeve, pasia ta që janë në tryezën e negociata në Bruksel as që duan t’ia dinë”, shkruan Verhofstadt.

Koordinatori i PE-së për Brexit flet me pesimizëm për negociatat që do të zhvillohen pas zgjedhjeve britanike të qershorit. Ai paralajmëron se nëse Britania nuk bie dakord me BE për lëvizjen e lirë, qytetarët britanikë nuk do të kenë më shumë të drejta për të pushuar, udhëtuar dhe studiuar në Europë se sa turistë nga Moska apo studentët nga Mumbai.

Share this post