Ja gjashtë gjëra që Ajnshtaini në fakt nuk i ka thënë kurrë

Ja gjashtë gjëra që Ajnshtaini në fakt nuk i ka thënë kurrë

 

Njerëzve u pëlqejnë shumë citimet e mira, dhe interneti e ka bërë shumë të lehtë të gjesh një të përsosur për çdo rast. Por ka një gjë: Shumë nga figurat më të cituara të historisë (mendoni Abraham Lincolnin, Eleanor Rooseveltin, Albert Ajnshtajnin, Martin Luther King Jr.) thjesht nuk i kanë thënë disa nga citimet më të njohura, që ne ua atribuojmë atyre.

I gjithë “biznesi” i atribuimit gabim të citateve sigurisht nuk filloi me internetin – ka ndodhur prej shumë kohësh: Sapo një person i njohur fiton reputacion se mund të thotë gjëra të mahnitshme, të thella ose frymëzuese, njerëzit kanë tendencë t’i atribuojnë atij citime që mund të tingëllojnë si diçka që ata edhe mund t’i kenë thënë. Por që në fakt nuk ka ndodhur.

Garson O’Toole – një emër arti i përdorur nga shkrimtari i cili e quan veten “Hetuesi kryesor i citateve në Internet” – i quan njerëz si Abraham Lincoln, Mark Tuain, Dorothy Parker, Albert Ajnshtajn, Yogi Berra, Uinston Churchill dhe Marilyn Monroe “si superyje të citimeve”. Njerëz të tillë të famshëm dhe karizmatikë shpesh bëhen “ushtarë” për thënie që ata kurrë nuk i kanë nxjerrë nga goja, shkruan O’Toole në librin e tij të ri,” Hemingueji nuk ka thënë se: E vërteta pas citimeve të famshme”.

Për shembull, merrni këto citime të përsëritura dhe të ribotuara shpesh nga Albert Ajmshtaini – asnjë nga të cilat fizikanti i madh nuk i ka thënë me të vërtetë:

“Jo gjithçka që ka rëndësi mund të numërohet.”

“Definicioni i çmendurisë është që të bësh të njëjtën gjë pa pushim dhe të presësh rezultate të ndryshme”.

“Gjithkush është një gjeni. Por nëse ju e gjykoni një peshk nga aftësia e tij për t’u ngjitur në pemë, do të kaloni tërë jetën duke besuar se është budallallëk”.

“Dy gjëra më frymëzojnë pa fund – qielli me yje atje lart dhe universi moral brenda meje”.

“Arsimi është ai që mbetet, nëse dikush ka harruar gjithçka që ka mësuar në shkollë”.

“Kur ulesh me një vajzë të bukur për dy orë, mendon se ka kaluar vetëm një minutë, por kur ulesh mbi një sobë të nxehtë për një minutë, mendon se kanë kaluar dy orë. Ky është relativiteti”.

Tani, ja cila është e vërteta për këto citime:

“Jo gjithçka që ka rëndësi mund të numërohet”

Siç shkruan O’Toole në librin e tij, merita për këtë thënie duhet t’i shkojë profesorit të sociologjisë Uilliam Bruce Cameron, i cili e përfshiu atë në disa artikuj dhe një libër të vitit 1963. Ajnshtajnit nuk iu atribuua kjo thënie deri në mesin e viteve 1980, pra rreth tre dekada pas vdekjes së tij.

“Definicioni i çmendurisë është që të bësh të njëjtën gjë pa pushim dhe të presësh rezultate të ndryshme”

Një thënie e preferuar e politikanëve (dhe shumë e shumë të tjerëve), ky citim gabimisht i atribuohet edhe Benjamin Franklinit – por nuk ka asnjë dëshmi që ta ketë thënë ndonjëri prej të dyve. Libri “Ajnshtaini i citueshëm”, një përmbledhje autoritare e thënieve të tij më të mençura, thotë se citimi gabimisht thuhet të ketë qenë i Ajnshtainit, dhe përmend përdorimin e tij në romanin e vitit 1983 “Vdekja e Papritur” nga Rita Mae Broun. Në faqen e tij të internetit O’Toole gjurmonte lidhjen mes marrëzisë dhe përsëritjes të paktën në shekullin e 19-të, por vë në dukje përdorimin e saj në një pamflet “Narkotikët Anonimë” si dhe romane (përfshirë atë të Brounit), shfaqje televizive dhe burime të tjera.

“Gjithkush është një gjeni. Por nëse ju e gjykoni një peshk nga aftësia e tij për t’u ngjitur në pemë, do të kaloni tërë jetën duke besuar se është budallallëk”

Nuk ka prova ekzistuese që të sugjerojnë se Ajnshtaini e ka thënë këtë gjë, ndonëse i është atribuar atij në disa libra. Në fakt, ky citim mund të gjurmohet pas në kohë tek një alegori e njohur që përfshin kafshët të cilat bëjnë gjëra të pamundura, përdorur për të ilustruar gabimin e gjykimit të dikujt përmes një aftësie që personi nuk e zotëron.

“Dy gjëra më frymëzojnë pa fund – qielli me yje atje lart dhe universi moral brenda meje”

Në fakt, ky është një version i një deklarate të bërë jo nga Ajnshtajni por nga filozofi gjerman Immanuel Kant në “Kritikën e arsyes praktike”(1889). Thënia e vërtetë është: “Dy gjëra mbushin mendjen me habi dhe frikë gjithnjë e më të madhe, asa më shpesh që mendja dhe mendimi janë të tërhequra prej tyre: qiejt me yje mbi mua dhe ligji moral brenda meje”.

“Arsimi është ai që mbetet, nëse dikush ka harruar gjithçka që ka mësuar në shkollë”

Tek libri “Ajnshtajni i citueshëm”, redaktorja Alice Calaprice sqaron se Ajnshtajni ishte dakord me këtë deklaratë, por nuk e thoshte ai i pari atë. Në fakt, ai citonte një pasazh nga një “mendje” anonime në një kapitull që ai shkruante mbi arsimin, e përfshirë në librin e tij “Nga vitet e mia të mëvonshme”.

“Kur ulesh me një vajzë të bukur për dy orë, mendon se ka kaluar vetëm një minutë, por kur ulesh mbi një sobë të nxehtë për një minutë, mendon se kanë kaluar dy orë. Ky është relativiteti”

Ky shpjegim i qartë i teorisë më të famshme të Ajnshtajnit nuk është diçka që ai vetë e ka thënë, por vjen nga një anekdotë që thuhet se qarkullonte rreth tij në vitin 1929, kur u shfaq në një artikull të Nju Jork Tajms. Gazetari e ka vënë deklaratën anekdotike në thonjëza, dhe ja tek lindi një citat i famshëm.

Share this post