Kjo është opozita, që do Edi Rama!

Kjo është opozita, që do Edi Rama!

Nga Mero Baze
Partia Demokratike nuk arriti të prodhojë incidente serioze, pamvarësisht gjuhës kërcënuese të Bashës para protestës dhe shpresës së tij, se policia do të provokohej për incidente të rënda. Tani pas protestës së dështuar, Lulzim Basha po përpiqet të fshehë pafuqinë e tij, duke e vizatuar si rrugë paqësore.

Kjo është dhe gënjeshtra më e madhe e ditës.

Në vetvete akti i bllokimit të rrugëve është një dhunë dhe Lulzim Basha nuk duhet të ketë kompleksin ta quajë metodë paqësore. Metodat e dhunshme janë po ashtu metoda politike, dhe mund t’i përdorë edhe opozita, por pasi nisesh për dhunë dhe bën një flluskë në ujë, është qesharake t’i quash paqësore.

Bllokimi i lëvizjes së qytetarëve, është jo vetëm akt dhune, por dhe një sipërmarrje e guximshme, që ka brenda dhe dëshpërimin që populli nuk të ndjek pas. Dhe kur e ndërmerr atë, nuk ke pse shfajësohesh, por duhet ta mbrosh, ose të heshtësh.

Për më tepër që vet Lulzim Basha e ka paralajmëruar këtë aksion si të dhunshëm dhe i është referuar vitit 1997, ku njerëzit u ngritën të revoltuar, ndërkohë që ai dhe gruaja e tij ikën të “studionin” me paratë e VEFA në Hollandë.

Ka së paku katër- pesë deklarata publike të tij, që paralajmërojnë “hatanë” me gjuhë “lacash”. Në fakt, e vetmja hata që bëri për pak, ishte lindja e një fëmije në një autoambulancë të bllokuar shtazërisht.

Policinë po ashtu e kërcënoi Lulzim Basha. Dhe mirë bëri. Një lider që tenton të jetë radikal, i shkon kjo gjë. Biles i kërcënoi se do t’i filmonte dhe do t’i padiste. Por ajo që ndodhi ishte e kundërta, dhe policia po padit gjithë ata që u hoqën lirinë e lëvizjes për një orë qytetarëve.

Qeverinë e kërcënoi Lulzim Basha dhe mirë bëri. Detyra e kryeopozitarit është edhe të kërcënojë qeverinë. Me një zë në trashje e sipër, Basha ka gjithë javën që e paralajmëron të hënën si “Ditën e Qametit” për qeverinë. Në fakt i vetmi “qamet” që solli protesta, ishte nervozizmi i mijëra qytetarëve të bllokuar rrugëve me PD.

Tani, pasi ky aksion, që është i dhunshëm në përmbajtje, dështoi si në përmbajtje ashtu dhe në formë, duke evidentuar si figurat kryesore politike të PD, njerëzit më qesharakë dhe banal të saj, Lulzim Basha po përpiqet ta maskojë dështimin e forcës së tij, duke tentuar të na e shesi dhunën si aspiratë paqësore të tij.

E vërteta është se dhuna e paralajmëruar, ishte një përpjekje për t’ia dhënë “përgjigjen” që sot të dërguarve të Bashkimit Europian që vijnë nesër, por ky mesazh dështoi. Ata thjeshtë panë përpjekjen e një njeriu për dhunë dhe pafuqinë e tij. Dhe po binden përditë e më shumë, se e gjitha ko që ndodh është një pendesë për votën e 21 korrikut për reformën në drejtësi, për të cilën po hakmerret me 18 qershorin.

Edhe më qesharake bëhet situata kur Basha tenton të thërrasë kujtesën me protestat e ngjashme të Edi Ramës. Edi Rama nuk ka thënë në atë kohë që ato janë protesta paqësore, por i ka bllokuar rrugët në shenjë force dhe dëshpërimi nga vjedhja e votave prej Lulzim Bashës. Dhe nëse Lulzim Basha nuk ka asnjë ide, veç atyre që ka pas Edi Rama si lider opozite, është më mirë të mos i kujtojë ato. Se as 21 janari nuk ishte një demonstratë paqësore, por vrasjet e urdhëruara nga Lulzim Basha, ishin kriminale. Problemi i Luzlim Bashës është se nuk është as i fuqishëm si opozitë, as paqësor, dhe as origjinal. Ai është thjeshtë një imitues i dështuar i betejave të cilat i ka parë tek rivali i tij. Dhe tani që nuk ja del dot të jetë as i fortë, as i mbështetur dhe as origjinal, po mburret që nuk shqetëson qeverinë dhe policinë, por vetëm qytetarët në nevojë. “Kjo është opozita që dua” do të thoste Edi Rama në këtë rast. Por jo opozita që do Shqipëria.

Share this post