Nazistët e zhvilluan gazin sarin, por Hitleri pati frikë ta përdorte

Nazistët e zhvilluan gazin sarin, por Hitleri pati frikë ta përdorte

 

Sekretari i Shtypit i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, u dënua ashpër pak kohë më parë, kur krahasoi Adolf Hitlerin me Presidentin sirian Bashar al-Assad, duke thënë se Hitleri “nuk u zhyt në përdorimin e armëve kimike” siç bënë forcat e Asadit në Sirinë veriore më 4 prill. E vërteta e tmerrshme, natyrisht, është se Hitleri vrau rreth 6 milionë hebrenj, ndër të tjera, në kampet e vdekjes të Holokaustit. Spicer më vonë kërkoi falje për deklaratat e tij, por polemika ringjalli një mister që vazhdon prej kohësh: Edhe pse Gjermania naziste rezervonte tonelata të gazit sarin gjatë Luftës së Dytë Botërore, Hitleri zgjodhi të mos e përdorte atë kundër aleatëve, për arsye që mbeten të paqarta.

Hitleri sigurisht kishte mundësinë të përdorte sarinin në Luftën e Dytë Botërore. Nazistët ishin në fakt ata që zhvilluan agjentin nervor vdekjeprurës – krejt aksidentalisht. Në fund të vitit 1938, shkencëtari gjerman Gerhard Schrader u ngarkua me shpikjen e një pesticidi më pak të kushtueshëm, për të vrarë mizat e grurit që dëmtonin fushat dhe pemishtet gjermane. Duke e përzierë fosforin me cianid, ai krijoi një substancë që ishte tepër toksike për t’u përdorur për qëllime bujqësore.

Pasi punëdhënësi i Schraderit, konglomerati i ilaçeve I.G. Farben, njoftoi ushtrinë gjermane për zbulimin e agjentit, disa shkencëtarë të impresionuar të ushtrisë e quajtën lëngun “tabun”, fjala gjermane për “tabu”. Me t’u kthyer në laborator, Schrader përzieu edhe ca më shumë dhe doli me diçka edhe më toksike. Ai e quajti substancën e re sarin, një akronim për emrat e katër shkencëtarëve që e zhvilluan atë.

Ideja që Hitleri do të kishte kundërshtuar përdorimin e gazit helmues në fushën e betejës për shkaqe etike, duket e pabesueshme, ose të paktën e papërputhshme, po të kemi parasysh se nazistët përdornin sistematikisht “Zyklon B” dhe agjentë të tjerë kimikë për të shfarosur miliona njerëz në dhomat e gazit. Por edhe duke e injoruar këtë fakt, ka shumë pak dëshmi historike që lidhin përvojën e Hitlerit gjatë kohës së luftës, me ngurrimin e tij për të përdorur sarinin kundër aleatëve 20 vjet më vonë.

Faktorë të tjerë mund të kenë qenë në lojë. Strategjia ushtarake gjermane e Blitzkriegut, e cila deri tani kishte qenë e suksesshme, përfshinte sulme të papritura nga tanke dhe bombardues, që ndiqeshin me shpejtësi prej ushtarëve nga toka. Nëse ata bombardues përdornin gazin sarin ose një armë tjetër kimike, trupat naziste nuk do ta kishin të mundur të marshonin.

Më e rëndësishmja, ndoshta, Hitleri duhet ta ketë ditur se nëse ai përdorte armë kimike, kundërshtarët e tij do të hakmerreshin me të njëjtën monedhë. Kryeministri britanik Uinston Churchill, kishte argumentuar gjatë në favor të përdorimit të armëve të tilla për të shkurtuar kohën e konflikteve ushtarake. “Nuk mund ta kuptoj këtë debat në lidhje me përdorimin e gazit”, shkruante ai në një shkresë në vitin 1919, kur ishte sekretar i luftës i Britanisë. “Nuk është e nevojshme të përdoren vetëm gazet më vdekjeprurëse: mund të përdoren gazra që shkaktojnë shqetësime të mëdha dhe që do të përhapnin frikë, pa lënë asnjë pasojë serioze të përhershme mbi shumicën e atyre që do të prekeshin”.

Historiani Richard Languorth ka theksuar se Churchilli besonte se përdorimi i armëve kimike (jo vdekjeprurëse) mund të ishte një mënyrë më humane për të bërë betejë. Në një shkresë tjetër të shkruar në të njëjtën kohë, Churchilli argumentonte se: “Gazi është një armë më e mëshirshme sesa predha dhe detyron një armik të pranojë një vendim, me më pak humbje jetësh, sesa çdo armë tjetër lufte”.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Churchilli ishte gjithmonë i përgatitur të përdorte armë kimike, por vetëm nëse armiku i përdorte ato i pari. Në shkurt të vitit 1943, kur Londra mësoi se gjermanët mund të përdorin gaz kundër rusëve në basenin e Donetsit, Churchilli i shkroi Shtabit të Përgjithshëm: “Në rast se gjermanët përdorin gazin ndaj rusëve … ne do të hakmerrehemi duke mbushur qytetet gjermane me gaz…”.

Por cilado të ketë qenë arsyeja, Hitleri zgjodhi të mos e ndërmarrë atë hap – madje edhe pasi fabrikat naziste fshehurazi akumuluan municione të mbushura me agjentin nervor vdekjeprurës, as edhe kur “dallga” e luftës u kthye gjithnjë e më shumë kundër Gjermanisë.

Share this post