Në Maqedoni, ndërkombëtarët pro opozitës, kurse tek ne, është e kundërta

Në Maqedoni, ndërkombëtarët pro opozitës, kurse tek ne, është e kundërta

Opozita shqiptare po kopjon skenarin maqedonas : protesta të vazhdueshme, thirrje e faktorit ndërkombëtar për të arritur tek qeveria teknike dhe tek shtyrja e zgjedhjeve

Tashmë është krejt e qartë se opozita shqiptare synon të shkohet tek skenari maqedonas. Pavarësisht se Partia Demokratike e Shqipërisë ka përdorur një çadër në bulevard dhe bojkotin,  dhe jo protesta masive, synimet janë të njëjta me të opozitës maqedonase. Me disa ndryshime.

Në rastin e Maqedonisë,  preteksti ishte publikimi i përgjimeve ku dilte roli i fortë i shërbimeve sekrete (20 mijë vetë të përgjuar), kontrolli i pushtetit nga Gruevski.

Në rastin e Shqipërisë preteksti është kultivimi masiv i drogës dhe lidhja e qeverisë me drogën, që do të mundësonte blerjen e votës nga qeveria.

Në rastin e Maqedonisë me protesta masive u kërkua shtyrja e zgjedhjeve, qeveri teknike (shto këtu, një komision hetimor, riorganizim i Komisionit qendror zgjedhor, etj.)

Në rastin e Shqipërisë kërkohet shtyrje e zgjedhjeve (edhe me ndryshim kushtetues),  qeveri teknike (nuk flitet për përbërjen e saj) dhe shtohen dita ditës kërkesa të tjera. Përshembull zgjedhje e presidentit nga populli.

Në rastin e Maqedonisë, BDI ishte në qeveri, por pranonte kërkesat e opozitës për shtyrje të zgjedhjeve.

Në Shqipëri, me gjasë LSI-ja bën të njëjtën gjë si BDI në Maqedoni.  Mbështet kërkesat e opozitës.

Marrëveshja e Përzhinës

Në rastin e Maqedonisë u kërkua ndërmjetësim ndërkombëtar, dhe po e njëjta gjë është kërkuar dhe në Shqipëri, pavarësisht se po kuptohet qartë se bashkësia ndërkombëtare është kundër opozitës. Prononcimi i fundit i Departamentit të shtetit, qëndrimet e ambasadorit amerikan në vijimësi, heqin dyshimet se vetëm europianët (kancelaritë e veçanta, Gjermania në krye të të gjithave) janë kundër opozitës.

Në rastin e Maqedonisë, bashkësia ndërkombëtare perëndimore, me ndonjë përjashtim (Austria ishte pro Gruevskit), ishte kundër qeverisë së Gruevskit.

Në rastin e Shqipërisë është e vërtetë e anasjellta.

 

Arsyeja është themelore. Në gjithë Ballkanin problemi i Perëndimit është se sisteme demokratike hibride të rëna në duar autokratësh vendorë nuk lejojnë qarkullimin e elitave. Ato korruptohen, kriminalizohen, kontrollojnë faktorët më me ndikim në shoqëri, në biznes dhe pastaj nuk largohen dot as me zgjedhje përafërsisht të lira. Rrugëzgjidhja është parë reforma në drejtësi, e cila pas spastrimit të drejtësisë do të vijonte me spastrimin e politikës.

Të dy palët (opozitat) në Maqedoni dhe Shqipëri, synonin të arrinin në ndërkombëtarizimin e krizës.

Por pikëpyetja është: çfarë qasje ka faktori ndërkombëtar ndaj palëve përkatëse?

Dhe këtu jemi në dallimin kryesor të Maqedonisë me Shqipërinë. Në Maqedoni, opozita kërkoi hetime, Prokurori speciale (me ndikim, frymëzim, mbështetje ndërkombëtare, ndërsa në Shqipëri, opozita është kundër prokurorisë dhe gjykatës speciale që parashikohen nga reforma në drejtësi e mbështetur nga ndërkombëtarët. Opozita ka frikë nga përdorimi i këtyre institucioneve kundër saj. Prokuroria speciale ishte emëruesi minimal i përbashkët i palëve politike në Maqedoni, megjithë sabotimet.  Kurse në Shqipëri, me angazhim ndërkombëtar u miratua në terma kushtetues një reformë që parashikon gati gati një prokurori dhe një gjykatë speciale. E jetësimi i kësaj reforme po pengohet pikërisht nga opozita e Shqipërisë dhe pjesë të caktuara të shumicës politike.

Më në fund ka dhe diçka tjetër të rëndësishme, që ka karakter subjektiv. Në Maqedoni, partia e Gruevskit, parti e shumicës (në ikje ose jo) ka frikë nga prokuroria speciale, kurse në Shqipëri kanë të drejtë të kenë frikë, jo thjesht nga prokuroria, por dhe nga Gjykata speciale.

Nisur nga ky element i fundit, a do pranojë bashkësia ndërkombëtare që vullnetarisht të zbatojë por nga e kundërta modelin maqedonas? Pra a do të pranojë që t’i ofrojë kaq shumë hapësirë, kaq shumë dinjitet, kaq shumë të drejta, apo garabci, një opozite që kundërshton reformën në drejtësi, institucione që ajo vetë i ka projektuar për të mundësuar qarkullimin e elitave, apo thënë shkurt, largimin e feudalëve ballkanikë nga pushteti?

Me gjasë jo. Zhvillimet maqedonase, angazhimi i opozitës kishte regji perëndimore. Kurse në Shqipëri duket qartësisht e kundërta.(konica.al)

 

Share this post