Tirana abstrakte e Erion Veliaj

Tirana abstrakte e Erion Veliaj

Lewis Mumford, një nga sociologët urbanistë më të rëndësishëm, ka shpjeguar se mënyra sesi zhvillohet një qytet, që nga fasadat e godinave, sheshet, rrugët e deri tek kanalizimet, na tregon natyrën e pushtetit që e kontrollon atë. Tirana është qyteti që ilustron më së miri këtë, duke shfaqur kudo striptizën e një pushteti që nuk kujdeset aspak ti fshehë paudhësitë e veta. Pushteti është në Tiranë, më i dukshëm dhe më brutal se në çdo qytet tjetër në Europë, duke demonstruar hapur e pa turp, sesi politika po asfikson jetën e qytetarit, duke e bërë këtë qytet të pajetueshëm dhe depresiv. Tirana është modeli i degradimit urban të organizuar, i mundësuar, jo nga lënia pas dore, por përkundrazi, nëpërmjet vëmendjes së pushtetit për të zhvatur dhe shterrur çdo resurs.

Plani i ri urbanistik, i miratuar tinëz në ditët e festave të fundvitit dhe i marketuar së fundi si një mrekulli futuriste nga vetë Kryeministri, është një një projekt madhor për t’ia marrë këtij qyteti edhe frymën e fundit. Angazhimi për të rritur edhe më tej volumin e ndërtimit mbi të njëjtën sipërfaqe, duke ndërtuar kulla të larta është një vendim për dënim kapital të kryeqytetit nën thundrën e betonit dhe kaosit urban të organizuar.

Hapësira e pushtetit

Çdo projekt urbanistik ka në qendër të vëmendjes organizimin e hapësirës, e cila është pasuria kryesore që një qytet mund të ofrojë. Mënyra sesi organizohet hapësira përcakton shumë vlerën e jetës në qytet, gjë që do të thotë se puna e vërtetë e një bashkie, përtej selfijeve të kryebashkiakut në pozat e herot të punës, është pikërisht mënyra si ajo menaxhon territorin. Është në dorën e bashkisë nëse do ta zhvillojë atë në dobi të qytetarëve apo t’ua shesë klientëve të pushtetit për përfitime korruptive.

Autorë të shumtë theksojnë se hapësira ndjek mënyra të ndryshme për të riprodhuar marrëdhëniet ekonomike, të lidhura sidomos me pushtetin. Henri Lefebvre ka krijuar një teori të asaj që ai e quan prodhim dhe riprodhim i hapësirës, ku ai dallon disa praktika hapsinore dominuese nga të tjerat, që i përkasin qytetarëve të thjeshtë dhe kryesisht shtresave të varfra të popullsisë. Sipas tij, elitat politike dhe ekonomike, e sidomos arkitektët dhe planifikuesit urbanë, krijojnë perceptimet e tyre mbi hapësirën, të cilat i imponojnë në kurriz të shtresave të tjera të popullsisë.

Ai e quan këtë praktikë, përfaqësim të hapësirës, të cilën këta urbanistë e paraqesin si hapësirë të vërtetë. Kjo në fakt është vetëm hapësira e parë nga perspektiva e tyre, e cila buron nga pozicioni i tyre në një marrëdhënie ekonomiko-politike. Në bazë të kësaj perspektive ata ndikojnë vendimarrjen për transformime urbane, për zhvendosje banorësh, për projekte të risistemimit dhe rikualifikimit urban etj. të cilat, në fakt, reflektojnë interesat e tyre ekonomike e politike. Lefebvre thotë se janë pikërisht këto përfaqësime të hapësirës që arrijnë të prodhojnë “të vërtetën e hapsirës”. Duke imponuar qasjen e tyre mbi zhvillimin, ata i japin formë realitetit urban, dhe arrijnë të prodhojnë kështu qytetin që ata duan, i cili për ta është vetëm një mjet pasurimi.

Projekti i miratuar nga Bashkia e Tiranës, është qartësisht demonstrim i mënyrës sesi përfaqësimet e hapësirëssundojnë qeverisjen lokale në funksion të interesave të një grushti njerëzish që do të pasurohen duke varfëruar dhe përkeqësuar jetët e gjithë të tjerëve. Rritja e volumit të ndërtimit, rrit përfitimet ekonomike të një grupi investitorësh, por nga ana tjetër ajo rrit dendësinë e banorëve, shkatërron resurset zhvillimore duke mos lënë vend për përmbushjen e nevojave publike të domosdoshme për një jetë urbane normale. Qyteti bëhet një ferr klaustrofobik.

Bashkia si fabrikë e hapësirës

Lefebvre vijon duke treguar se ekziston ajo që ai e quan hapësira abstrakte si një mjet në duart e pushtetit për të zëvendësuar hapësirën historike të një qyteti. Hapësira abstrakte, sipas tij është shtypëse, autoritare, e zaptuar, e kontrolluar.

Gjithmonë pushteti ka synuar të ketë kontroll mbi hapësirën, por në këtë rast kemi të bëjmë me kontroll nëpërmjet hapësirës. Pra, hapësira nuk është më objekt i kontrollit, por instrument kontrolli. Hapësira abstrakte, e imagjinuar prej planifikuesve urbanë në zyrat e bashkive, kontrollon hapësirën reale duke imponuar përfytyrimet e saj, të cilat vihen në zbatim në mënyrë arbitrare. Vetë abastragimi i hapësirës urbane është në vetvete një formë pushteti.

Në fakt, ajo çfarë po bën Bashkia e Tiranës, e kapërcen këtë analizë. Kontrolli absolut që Erjon Veliaj ka mbi mediat, bën që përfaqësimi hapësinor i kryeqytetit dhe abstragimi i hapësirës së imponuar prej tij, të shkojë deri në nivele sureale. Tirana reale, ajo që jetojmë çdo ditë, është një qytet krejt tjetër nga Tirana që projekton dhe promovon Bashkia. Ndërsa iu dhuron klientëve biznesmenë troje e leje ndërtimi për rrokaqiej monstruozë në qendër e periferi, qytetarëve iu ofrohen sheshe e bulevarde të përqendruara në pak metra katrorë, nga ku populli mund të admirojë veprat mëdha të pushtetit. Miliona euro shpërdorohen për spektaklin urbanistik të shesheve. Tirana ofron një vitrinë luksi në ato pak sheshe që ka, ndërsa mbetet një xhungël betoni, në çdo hapësirë tjetër.

Ky abstragim i territorit transformon jo vetëm jetën urbane, por edhe vetë qyetarin duke e asgjëesuar atë. Sheshet ndërtohen për turmat, jo për qytetarët. Turmat janë objekte ku ushtrohet pushteti, ndërsa qytetarët janë subjekte që ushtrojnë përgjegjësitë e tyre për të kërkuar funksionimin e institucioneve. Për këtë arsye pushtetit i interesojnë turmat e jo qytetarët. Përtej fasadës së shesheve, Tirana shndërrohet në një birrucë që shtyp çdo ditë qytetarët ndërsa konservon njeriun masë.

Nëpërmjet kontrollit mbi mediat dhe abstragimit mediatik të hapësirës, bashkia ia ka dalë të krijojë një Tiranë tjetër, një Tiranë virtuale, krejt të kundërt me atë që jetojmë të gjithë. Nëpërmjet pushtetit të imazhit, bashkia ka arritur të asgjësojnë realitetin e vërtetë. Për të nuk ekziston Tirana e asfiksisë së ndërtimeve, e izolimit në trafik, e smokut helmatisës, e plehërave toksifikuese, e mungesës së hapësirave dhe shërbimeve publike, e mungesës së ujit dhe kanalizimeve, etj. Për të ekziston vetëm Tirana e shesheve, urave, apo projekteve mediatikë që ekspozohen të filmuara me dronë, nëpërmjet mediave të kontrolluara me leje ndërtimi. Veliaj është sot prodhuesi më i madh i hapësirës dhe përfytyrimit mbi të duke këmbyer Tiranën e jetuar me Tiranën e soditur nga ekrani./Postbllok

 

Share this post