Koha për t’i parë gjërat ndryshe

Koha për t’i parë gjërat ndryshe

Truri ynë ka evoluar për t’i dhënë kuptim pasigurive, shkruan Beau Lotto, kështu që nuk ka arsye të kemi frikë nga dyshimi

Perceptimi është i rëndësishëm, sepse mbi të mbështetet çdo gjë që mendojmë, dimë dhe besojmë. Ndjenja jonë e vetvetes, mënyra jonë më thelbësore e të kuptuarit të ekzistencës, fillon dhe mbaron me perceptimin. Vdekja që të gjithë kemi frikë është më pak vdekja e trupit, dhe më shumë vdekja e perceptimit. Megjithatë, shumica prej nesh nuk e dimë se si dhe pse truri ynë evoluoi, për të perceptuar ashtu si bën

Kur hapni sytë, a e shihni botën ashtu siç është me të vërtetë? Njerëzit ia kanë bërë këtë pyetje vetes prej mijëra vjetësh. Nga hijet në murin e shpellës së Platonit tek “Republika”, tek Morpheu që i jep pilulën e kuqe ose blu në “The Matrix”, ideja se ajo që ne shohim mund të mos jetë ajo që vërtet ndodhet aty, na ka shqetësuar dhe na ka munduar.

Në shekullin e 18-të, filozofi Immanuel Kant argumentoi se kurrë nuk mund të kemi qasje në Ding an Sich”, pra e pafiltruara “gjë në vetvete” e realitetit objektiv. Mendje të mëdha e kanë trajtuar herë pas here këtë pyetje. Të gjithë kishin teori, por tani neuroshkenca ka një përgjigje.

Përgjigjja është se ne nuk e shohim realitetin. Bota ekziston. Thjesht ne nuk e shohim atë. Ne nuk e përjetojmë botën ashtu siç është, sepse truri ynë nuk ka evoluuar për ta bërë këtë.

Sa i përket numrit total të lidhjeve nervore, vetëm 10% e informacionit që truri ynë përdor për të parë vjen prej syve. Perceptimi buron jo vetëm prej pesë shqisave tona, por edhe prej rrjetit pafundësisht të sofistikuar të mendjes sonë, që i jep kuptim gjithë informacionit që hyn. Po përse ka rëndësi kjo? Përse mund të kemi nevojë të shmangemi nga mënyra si perceptojmë?

Perceptimi është i rëndësishëm, sepse mbi të mbështetet çdo gjë që mendojmë, dimë dhe besojmë. Ndjenja jonë e vetvetes, mënyra jonë më thelbësore e të kuptuarit të ekzistencës, fillon dhe mbaron me perceptimin. Vdekja që të gjithë kemi frikë është më pak vdekja e trupit, dhe më shumë vdekja e perceptimit. Megjithatë, shumica prej nesh nuk e dimë se si dhe pse truri ynë evoluoi, për të perceptuar ashtu si bën.

Truri ynë është një mishërim i reflekseve perceptuese të paraardhësve tanë, të formuar nga përzgjedhja natyrore, kombinuar me reflekset tona dhe ato të kulturës sonë. Pra, nëse truri është një manifestim i historisë sonë, si mund të dalim jashtë së kaluarës, për të jetuar dhe krijuar ndryshe në të ardhmen? Sepse njerëzit kanë dhuntinë e egër dhe gjeneruese, për të qenë në gjendje të shohin jetën e tyr, vetëm duke reflektuar mbi vetë procesin e perceptimit. Ne mund ta shohim veten tonë teksa “sheh”.

Por, të kthehesh pas dhe të pyesësh se si “sheh”, do të thotë të përqafosh pasigurinë. Të gjitha mendjet janë të frikësuara nga pasiguria. “Të mos diturit” është një ide e keqe nga pikëpamja e evolucionit. Nëse paraardhësit tanë ndaleshin, sepse nuk ishin të sigurt nëse forma e errët para tyre ishte një hije apo një grabitqar, tashmë ishte tepër vonë. Ne kemi evoluar për të parashikuar. Pse të gjitha filmat horror filmohen në errësirë? Mendoni për ndjenjën që keni kur ecni nëpër një pyll të njohur gjatë natës, krahasuar me gjatë ditës. Gjatë natës, nuk mund të shihni se çfarë ka rreth jush. Jeni të pasigurt. Është e frikshme, ashtu si gjithë gjërat “e para” në jetë – dita e parë e shkollës, takimet e para, hera e parë që mbani një fjalim. Ne nuk e dimë se çfarë do të ndodhë, prandaj këto situata i bëjnë trupat dhe mendjet tona të reagojnë.

Pasiguria është problemi që truri ynë evoluoi për ta zgjidhur. Jeta në thelb është e pasigurt, sepse bota dhe gjërat në të janë gjithnjë në ndryshim. Një botë gjithnjë e më e lidhur është gjithashtu më e paparashikueshme. Në këtë kontekst, dyshimi shpesh shpërfillet në kulturën tonë, sepse lidhet me pavendosmërinë, mungesën e besimit dhe dobësinë. Unë argumentoj për të kundërtën.

Ne duhet të përqafojmë fuqinë perceptuese të dyshimit, dhe përulësinë që vjen me të kuptuarit e mendjes tonë. Ka të bëjë me arsyen përse shohim atë që bëjmë, dhe se si, pranimi që nuk kemi qasje në realitet, na ndihmon t’i bëjmë gjërat drejtë. Cili është inovacioni më i madh i të ardhmes? Nuk është teknologji, është një mënyrë e të parit të gjërave.

Share this post