PËRFUNDON MBLEDHJA, KOALICIONI OPOZITAR DEL ME VENDIM TË PRERË 

PËRFUNDON MBLEDHJA, KOALICIONI OPOZITAR DEL ME VENDIM TË PRERË 

Përfundon mbledhja, Koalicioni Opozitar del me vendim të prerë (E plotë)Ka përfunduar pak çaste më parë mbledhja e koalicionit të disa partive opozitare në selinë e Partisë Demokratike, ku është marrë vendimi për përshkallëzim të protestave deri në mosbindje civile.

Koalicioni i partive që kanë bojkotuar zgjedhjet e ka quajtur “tryezë fasadë” iniciativën e Ilir Metës për të mbledhur në ambientet e Kuvendit të gjitha partitë politike me qëllim për diskutimin e gjetjes së një zgjidhje për krizën politike.

DEKLARATA:

Koalicioni Opozitar vendosi sot njëzëri përshkallëzimin e aksionit politik të opozitës, për të mos lejuar diktatin e krimit e të drogës me mbështetje qeveritare mbi votën e qytetarëve.

Koalicioni opozitar konfirmoi vendosmërinë për të mos lejuar votim fasadë të diktuar nga krimi dhe droga, duke nisur nga Kavaja.

Në funksion të këtij vendimi, të gjitha partitë politike anëtare të Koalicionit Opozitar, rikonfirmuan angazhimin masiv politik dhe popullor për mosbindje civile. Në kuadër të organizimit të mosbindjes civile dhe moslejimit të një procesi fasade elektoral, u miratua ngritja e shtabit koordinues të opozitës së bashkuar për bashkërendimin e aksionit popullor.

Po ashtu, Koalicioni i bashkuar Opozitar, dënoi dhe hodhi poshtë përpjekjet për tryeza fasadë me qëllim manipulimin e njëanshëm të Kodit Zgjedhor dhe klonimin e koalicioneve dhe opozitave fasadë në shërbim të narkoqeverisjes.

E vetmja zgjidhje për krizën politike në vend është krjimi pa vonesë i qeverisë teknike dhe dhënia e mandatit për krijimin e kushteve për zgjedhje të lira e të ndershme.

Share this post