HARADINAJ: NË KËTË PËRBALLJE TIMEN ME SERBINË FITUAN SHQIPTARËT

HARADINAJ: NË KËTË PËRBALLJE TIMEN ME SERBINË FITUAN SHQIPTARËT

Ish-kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, njëherësh lideri i AAK-së, ka thënë se në përballjen me Serbinë në gjykatën e Colmarit në Francë kanë fituar shqiptarët.

Kështu ka thënë ai gjatë një fjalimi para medieve pasi gjykata në Francë mori vendim për lirimin e tij, dhe refuzoi kërkesën e Serbisë për ekstradim, të cilin e akuzon për krime lufte gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Procedura sot u mbyll, është refuzuar kërkesa për ekstradim. Që nga tani jam i lirë, mund ta marrë pasaportën në Strazburg sepse është ende në polici, por jam i lirë të kthehem”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka thënë se janë katër muaj që janë humbur në këtë proces.

“Janë humbur katër muaj kohë, nuk janë pak, është kohë e çmueshme. Në këtë përballje shqiptarët kanë fituar”, ka shtuar ai, raporton Insajderi.

Megjithatë, Haradinaj ka thënë se me lirimin e tij nuk ka ndodhur ndonjë gjë e madhe, pasi këtë e konsideron si diçka që do të duhej të ndodhte.

“Nuk besoj që ka ndodh diçka e jashtëzakonshme, por ka ndodh ajo që është dashur të ndodh dhe do t’i qëndrojmë gjithmonë besnik të drejtës sonë”, ka thënë Haradinaj.(insajderi.com)

 

Share this post