Ilir Meta president apo lojë e fshehtë me Edi Ramën

Ilir Meta president apo lojë e fshehtë me Edi Ramën

Prej paradites së sotme kanë gëluar zëra të shumtë se Ilir Meta po mbledh firma të deputetëve për të paraqitur kandidaturën e tij për President të Republikës. Këto zëra, që fillimit u konsideruan si pjesë e mekanizmit të vënë në lëvizje nga LSI, për t’i bërë presion partive të tjera të pranojnë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do t’i jepnin asaj mundësinë të hynte në koalicionin, tashmë të skaduar, parazgjedhor me PS, u bënë serioze pas deklaratës së para pak minutave të Gramoz Ruçit në Kuvend.

Ruçi, me një ton ultimativ, gati kërcënues iu drejtua Ilir Metësse ose zgjedhim Presidentin e vendit bashkarisht ose shkojmë në zgjedhje të parakohshme. Nuk ka më kohë, tha ai, për dialog dhe negociata me opozitën.

Gramoz Ruçi, i cili flet në emër të Edi Ramës, duke bërë rolin e të moderuarit kërkoi të tregonte se tre raundet e para dështuan si pasojë e zemërgjerësisë së mazhorancën që propozimin për kandidaturën e Presidentin t’ia ofronte opozitës. Dhe tashmë, kjo zemërgjerësi e ka sosur durimin dhe PS- LSI duhet të zgjedhin Presidentin. PS, tha Ruçi, pret që këtë ta bëjë bashkarisht me Metën.

Por ky ultimatum i Ruçit në të gjitha rastet bie erë. Së pari, sepse nëse Meta ka vendosuir të shkojë në karriken e kreut të Shtetit nuk e ka lënë të presë ftesën e Ruçit por është marrë vesh paraprakisht me Ramën. Deklarata e Ruçit ka qenë vetëm një interpretim teatror i kësaj marrëveshje paraprake.

Nga ana tjetër, deklarata e Ruçit, se ndryshe do të shkohet në zgjedhje të parakohshme, nuk është asgjë tjetër veçse loja që përflitet prej kohësh. Në rast se shpërndahet Kuvendi dhe shkohet në zgjedhje për shkak të krizës së presidentit, atëherë ato konsiderohen zgjedhje të parakohshme dhe afatet për regjistrimin e partive dhe kaolicioneve zgjedhore rihapen përsëri. Në këtë mënyrë Rama dhe Meta shkojnë bashkë në zgjedhje pa patur nevojë të bëjnë duart pis duke ndryshuar në mënyrë të njëanshme Kodin Zgjedhor.

Por të gjitha këto manovra, pavarësisht se si përfundojnë, po tregojnë para shqiptarëve se procesi zgjedhor, ende pafilluar ka nisur të njolloset. Se kjo mazhorancë, edhe pa opozitën përballë, nuk arrin dot të bëjë zgjedhje të ndershme dhe një proces dinjitoz për zgjedhjen e presidentit. Gjithçka e ka shndërruar në një llogari banale mandatesh dhe skemash të vogla për të përfituar sa më shumë në kurriz të procesit zgjedhor. Tërheqja e opozitës po i heq një nga një tullat e fasadës demokratike të koalicionit të majtë.

 

Share this post