Freedom House: Shqipëria dhe Kosova me liri të pjesshme të medias

Freedom House: Shqipëria dhe Kosova me liri të pjesshme të medias

 

Organizata, Freedom House, me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerëson se Shqipëria dhe Kosova janë në mesin e vendeve me liri të pjesshme të medias. Në raportin e kësaj organizate të publikuar të premten, Kosova radhitet në vendin e 96-të me 48 pikë, sikurse edhe një vit më parë, ndërsa Shqipëria është në vendin e 103-të me 51 pikë, ndryshe nga vendi i 106-të, ku radhitej një vit më parë, raporton Zëri i Amerikës.

Shkalla zero e pikëve është rezultati më pozitiv, ndërsa ajo 100, rezultati më i keq. Në rajon Kroacia është në vendin e 76-të, Mali i Zi në vendin e 84-të, Serbia në vendin e 98-të, dhe Bosnja e Hercegovina në vendin e 103-të.

Më keq radhitet Maqedonia në vendin e 139-të, duke u përfshirë në mesin e vendeve jo të lira. Në raportin e organizatës thuhet se liria botërore e medias ka rënë në pikën më të ulët në 13 vitet e fundit për shkak të kërcënimeve të pashembullta ndaj gazetarëve dhe organizatave të medias, ndërhyrjeve të shtuara të shteteve autoritare dhe veprimeve të Rusisë dhe Kinës për të rritur ndikimin përtej kufijve të tyre.

Sipas Freedom House, vetëm 13 për qind e popullatës në botë gëzon median e lirë, përkatësisht një mjedis ku mbulimi i lajmeve politike është i fuqishëm, siguria e gazetarëve është e garantuar, ndërhyrja e shtetit është minimale dhe shtypi nuk është subjekt i trysnive të rënda ligjore apo ekonomike.

Në raport thuhet se 42 për qind e popullsisë gëzon medie me liri të pjesshme, ndërsa 45 për qind jeton në vendet jo të lira. Në mesin e vendeve që kanë pësuar rënien më madhe në vlerësimet nga 0 deri në 100 pikë janë: Polonia me 6 pikë, Turqia me 5, Burundi me 5, Hungaria me 4, Bolivia me 4, Serbia me 4 dhe Republika Demokratike e Kongos me 4 pikë. Dhjetë vendet me radhitjen më të keqe janë: Azerbajxhani, Krimeja, Kuba, Guinea Ekuatoriale, Eritrea, Irani, Koreja e Veriut, Siria, Turkmenia, dhe Uzbekistani.

Share this post