Nga gjuajtësit amerikanë në kufirin rus, tek nëndetëset bërthamore në Azi. 24 orë Luftë e Ftohtë

Nga gjuajtësit amerikanë në kufirin rus, tek nëndetëset bërthamore në Azi. 24 orë Luftë e Ftohtë

Njëzet e katër orë në botën e sotme: mund të ishin vitet pesëdhjetë apo gjashtëdhjetë. Njëzet e katër orë ngjarje nga Lufta e Ftohtë, jo një përshkallëzim, por një lumë i pafund veprimesh, që konvergojnë për të të dhënë këtë përshtypje. Nga Amerika që mbledh Senatin në seancë urgjente dhe dërgon në Kore një nëndetëse bërthamore (seriozisht këtë herë), deri tek manovrat ushtarake mbresëlënëse të Phenianit, në sfondin e kërcënimeve bërthamore. Dhe pastaj shfaqja e “muskujve” ushtarakë në Evropën Lindore. Spiunazhi rus në shtëpinë tonë, që përhap helme, edhe në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të Francës, dhe vazhdon të krijojë dyshime në lidhje me bashkëpunëtorët, apo ish-bashkëpunëtorët e Donald Trumpit.

Një paralajmërim për nostalgjikët: duhet zhbërë miti, se në Luftën e Ftohtë efekti i fuqishëm i parandalimit bërthamor “disiplinoi” superfuqitë, i mbajti ato larg nga konfliktet, lejoi vetëm luftëra “të vogla” e “me prokurë”. Në fakt, gjatë Luftës së Ftohtë SHBA-BRSS, ka patur dy luftëra të gjata tragjike, të nxehta: ajo e Koresë dhe Vietnamit. Në të parën u përballën direkt mes tyre, ushtarë amerikanë dhe kinezë. Dhe është pikërisht Korea, që rikthehet dhe bëhet epiqendra e kësaj ringjalljeje të tensioneve globale, duke përfshirë SHBA dhe Kinën, por me ndryshimin se sot ajo zonë është shumë më e “bërthamorizuar”.

Në kohën e Luftës së Koresë, e cila përfundoi në vitin 1953, as Kina e Mao Ce Dunit, as edhe diktatori i Koresë së Veriut Kim Il-sung (gjyshi i Kim Jong-un), nuk kishin bomba atomike. Prandaj edhe ndjenja e ankthit që mbizotëronte në takimin e jashtëzakonshëm dje në Uashington: Trumpi priti të gjithë Senatin në seancë plenare në Shtëpinë e Bardhë, për një informim mbi krizën koreane, nga zyrtarë të lartë të Pentagonit dhe të zbulimit. Është shumë e rrallë që të njëqind senatorët, shumica e republikane dhe opozita demokratike, të vijnë së bashku në zyrën qendrore të ekzekutivit. Eshtë një sinjal i klimës së alarmit, sikur presidenti të dojë të sigurojë mbulesën e Kongresit, në rast të një ndërhyrje ushtarake.

Ndërkohë në portin e Koresë së Jugut, Busan, ka ardhur nëndetësja Michigan. Eshtë një nga katër nëndetëset bërthamore të modifikuara si “luftanije”, me 154 raketa Tomahok në bord. Busan është qyteti simbol i rezistencës ndaj pushtimit të Koresë së Veriut, në vitin 1950. Po ashtu në atë zonë është zhvilluar stërvitje e përbashkët detare SHBA-Korea e Jugut-Japoni, duke përfshirë gjuajtës të të tre vendeve.

Ndryshojmë kontinent, por skenari mbetet ai i luftës. Një skuadron avionësh amerikanë gjuajtës-bombardues F-35, papritur zbarkoi në Estoni për stërvitje. Eshtë hera e parë që avioni më modern amerikan vendoset në Evropë, do të stëfvitet mbi qiellin e vendeve baltike, domethënë në afërsi të kufirit rus, ndoshta për të treguar se është me të vërtetë i padukshëm? Edhe në territoret që dikur i përkisnin bllokut sovjetik (Traktatit të Varshavës): batalioni i NATO-s i vendosur në Poloni fillon ushtrimet stërvitore në poligonin e Orzysz, më pak se 50 milje nga kufiri me Bjellorusinë.

Ai përbëhet nga mijëra trupa amerikane, britanike dhe rumune. Një batalion i NATO është aktiv në Estoni me 1200 ushtarë britanikë, francezë, kanadezë dhe italianë. Pastaj është versioni bashkëkohor i Luftës së Ftohtë, ai dixhital. Në Talin (gjithmonë në Estoni) nis stërvitja më e madhe e luftës kibernetike, e kryer ndonjëherë nga NATO. Operacioni është quajtur Locked Shields, mburoja e kyçur, ku marrin pjesë 800 specialistë nga 25 vende. Një tjetër version i luftës kibernetike është ai që shqetëson Emmanuel Macronin, shënjestër e hakerëve rusë, siç ishte dikur kohë Hillary Clinton. Në këtë klimë bëjnë pjesë edhe presioni i Trumpit mbi Italinë dhe Gjermaninë, për rritjen e shpenzimeve ushtarake, një tjetër element i klimës së Luftës së Ftohtë.

Nuk është më Lindja e Mesme. Në Siri 59 raketa Tomahok ishin përgjigja e Trumpit, për forcimin e mbrojtjes anti-ajrore nga dyshja Assad-Putin, për të penguar sulme të ardhshme amerikane. Rishikimi i Marrëveshjes bërthamore me Iranin shpallur nga Uashingtoni, mund të çojë në një revokim, sanksione të reja, dhe një tjetër shuplakë ndaj Rusisë dhe Kinës, që janë palë në këtë marrëveshje.

Territori i SHBA nuk është imun. Ka shkelje të përditshme të hapësirës ajrore nga gjuajtës-bombardues rusë, të raportuara në mënyrë të përsëritur në qiellin e Alaskës. Marina ruse po i afrohet gjithnjë e më shumë ujërave territoriale të SHBA. “Provokimi” i fundit i Putinit ka aromën e një “shakaje”. Gjatë vizitës së gjeneralit Mattis (Sekretari i Mbrojtjes) në Afganistan, erdhën konfirmimet për armë të furnizuara nga rusët, për talebanët. Një përmbysje e aleancave: në vitin 1979, ishin amerikanët që armatosnin talebanët në luftën guerilase kundër pushtimit sovjetik.

Share this post