PROJEKSIONI / Sa mandate do fitojnë PS dhe LSI në 18 qershor

PROJEKSIONI / Sa mandate do fitojnë PS dhe LSI në 18 qershor

Me regjistrimin në zgjedhje të partive të koalicionit qeveritar dhe të partive të tjera të vogla, si dhe me bojkotimin e zgjedhjeve nga koalicioni i opozitës, debati mbi rezultatet zgjedhore 2017 bëhen formal. Referuar zgjedhjeve 2013 dhe duke llogaritur vetëm votat e të majtës si vota të vlefshme (opozita nuk merr pjesë), si dhe duke llogaritur partitë që kanë kaluar nga e djathta në të majtë (PDIU), apo partitë e reja politike (LIBRA, LISTA, etj), mund të parashikohet një rezultat i përafërt zgjedhor.

Kalkulimi është bërë mbi bazë qarku, duke marrë në konsideratë ndryshimet e reja në numrin e deputetëve në qarqe dhe ndryshimet midis partive politike gjatë katër viteve të fundit.

Në përfundim rezulton se nëse ruhet kjo votë dhe ky sistem votimi, mazhoranca aktuale merr 138 nga 140 deputetët, nga të cilët, Partia Socialiste merr 105­107 deputetë, LSI 22­25 deputetë dhe partitë e tjera të vogla së bashku, vetëm 9­13 deputetë.

Një rezultat i tillë ngjason vetëm më vitin 1996 (numërim i votave pa prezencën e opozitës) dhe vitin 1997 (pamundësi e opozitës për konkurrim në çdo zonë dhe situatë e jashtëzakonshme).

A mund të kishin zgjedhjet legjitimitetin dhe efektivitetin e duhur? A mund të kemi parlament vetëm të një pale politike? Ky është lexim politik, varet nga shumë skenarë, rrethana e argumente të tjera, por gjithsesi mbetet i pandryshuar fakti se rezultati do të ishte shumë disproporcional me mbështetjen reale politike në Shqipëri.

Mënyra sesi po zhvillohen dhe pritshmëritë e zgjedhjeve 2017 nxjerrin në pah edhe gjashte konkluzione paraprake:

• së pari, se sistemi zgjedhor proporcional rajonal është penalizues për partitë e reja dhe partitë e vogla politike;

• së dyti, se për herë të parë nuk do të kemi asnjë kandidat të pavarur në zgjedhje;

• së treti, për shkak të sistemit 92% e deputetëve janë emëruar tashmë deputet, zgjedhjet bëhen për 8% të tyre;

• së katërti, se për herë të parë partia e minoritetit grek nuk do të mund të fitojë mandat përfaqësues;

• së pesti, PS do të mund të sigurojë shumicën absolute pa pasur nevojë për aleatë për qeveri apo vendimmarrje, deri edhe ndryshim të Kushtetutës;

• së gjashti, do të jetë realisht e pamundur të “krijohej” opozitë parlamentare edhe nëse mosmarrëveshjet midis PS e LSI;

• së fundi, edhe këto zgjidhje pritet të vendosen teknikisht në Kolegjin Zgjedhor, me një KQZ në pamundësi për vendimmarrje.

Share this post